Sekretari i Përgjithshëm, i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e ka cilësuar tubimin e 2 marsit 2020 historike, ndërsa ka bërë thirrje për përmbushjen e këtij misioni patriotik më 11 maj.
Në një deklaratë për mediet, Blushi theksoi se, “në emër të Presidentit Ilir Meta dhe të Partisë së Lirisë, dua të shpreh sot mirënjohjen më të thellë dhe të palëkundur për popullin e 2 Marsit historik, i cili pesë vite më parë, iu përgjigj masivisht në një tubim të jashtëzakonshëm thirrjes së Presidentit të Republikës për të mbrojtur Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese, shtetin e së drejtës, barazinë e çdo qytetari përpara ligjit, demokracinë dhe pluralizmin politik”.
Sipas tij, 2 Marsi është prova e gjallë e fuqisë së popullit për të mbrojtur Atdheun.
“2 marsi është dëshmia historike e jashtëzakonshme se si liderët e ndershëm, patriotë dhe vizionarë si Presidenti Ilir Meta, paralajmërojnë shumë kohë më parë rreziqet madhore që kërcënojnë Atdheun dhe të ardhmen e popullit shqiptar. Mirënjohje pa fund popullit të 2 Marsit, që protestoi si kurrë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë kundër ligjit antikushtetues për “betimin te Lana” të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i cili për fat të keq “u bekua” edhe nga McGonigalët e korruptuar ndërkombëtarë, tentativë që dështoi me turp dhe u hodh në koshin e plehrave edhe nga Komisioni i Venecias”, u shpreh Blushi.
Sekretari i Përgjithshëm, i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se nuk është e lehtë të harrohet mitingu i jashtëzakonshëm i 2 Marsit 2020.
“Falë 2 Marsit historik u çmontua botërisht Ramaforma, si pjellë e gjithë ligjeve antikushtetuese, në kundërshtim me konsensusin e 140 votave sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, por njëkohësisht kur prapësuan dhe hodhën në Lanë edhe ligjin e “betimeve te Lana”.”, tha Blushi.
Sipas tij, “2 Marsi është një mision që duhet përmbushur më 11 Maj me largimin e Narkorilindjes dhe Narkokryeministrit e plaçkitësve dhe shitësve te kufijve te atdheut me mostruoze që Shqipëria ka pare. 2 Marsi na thërret, koha erdhi për marshimin final drejt Fitores së 11 Majit, që në radhë të parë do të jetë fitorja e shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë”, deklaroi Blushi.