Rajon
Plaga në gjoks ishte fatale/ Marjola Nakoleci mori disa prerje teksa tentoi t’i shpëtonte sulmit nga bashkëshorti

Nga ekzaminimi mjeko-ligjor i kryer mbi trupin e Marjola Nakolecit është zbuluar se 36-vjeçarja ka gjetur vdekjen nga plagët e marra në gjoks. Mësohet se viktima kishte një plagë me mjet të mprehtë e cila i shkaktoi vdekjen.
Mediat greke raportojnë se shqiptarja kishte edhe plagë në qafë nga mjeti i përdorur nga autori i krimit. Ajo kishte plagë edhe në pjesë të tjera të trupit çka tregon se shqiptarja u përpoq të mbrohej. Pandeli Nakoleci është shprehur se ai e donte bashkëshorten e tij dhe se nuk donte ta lëndonte thjesht kishte qëllim ta trembte.
Sipas tij persona të tretë shkatërruan marrëdhënien e tyre gjë e cila e bëri që ai të humbte mendjen dhe të ndërmerrte një akt të tillë. Ai ka ngritur akuza se gruaja e tradhëtonte dhe se ajo i ka dërguar foto dhe video me partnerin e ri. 40-vjeçari ka deklaruar se 36-vjeçarja kishte humbur një fëmijë i cili sipas tij nuk ishte i tij por i partnerit tjetër të shqiptares.
Nga ana tjetër motra e Marjolës ka hedhur akuza ndaj kunatit të saj se ai ka abuzuar me 36-vjeçaren gjatë martesës. Sipas saj motra e saj duroi dhunë fizike dhe seksuale. Ajo shtoi se bashkëshorti i saj e përdhunonte dhe e linte shtatzënë, me qëllim që ta mbante robëreshë e të mos divorcohej. Motra e viktimës zbuloi se familja dinte për abuzimin, por nuk paraqiti asnjëherë denoncim tek autoritetet.

