Kronike
Plagosja e 15-vjeçarit në “Ali Dem”, identifikohet autori! Arrestohen punonjësit e picerisë që fshehën ngjarjen

Një 21-vjeçar është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i plagosjes së 15-vjeçarit mbrëmjen e kaluar në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet. I riu me inicialet A.N. akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ngjarja ndodhi në një piceri, ku dyshohet se pas plagosjes, punonjësit e picerisë pastruan vendin e ngjarjes dhe fshinë pamjet e kamerave të sigurisë në biznes.
Nën akuzën “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, policia vuri në pranga tre punonjës të picerisë dhe shpalli në kërkim administratorin.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetase 15 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

