Rajon
Plagosja e Andrea Kalemit në burg/ Mediat greke: Autori ishte paguar për të kryer vrasjen
Detaje të reja janë zbuluar nga sulm me thikë i ndodhur pak ditë më parë në burgun e Koridhalos në Greqi, ku i plagosur mbeti shqiptari Andrea Kalemi. Autori i plagosjes, 28-vjeçari egjiptian ishte paguar për vrasjen e Kalemit dhe ai e ka goditur me një bisturi me qëllim prerjen e arteries karotide, shkruajnë mediat greke.
Ngjarja ka ndodhur midis datave 14 dhe 15 dhjetor. Kalemi ishte i përfshirë në sagën e krimeve të lidhura me ekzekutimin e biznesmenit Edmond Papa nga Saranda dhe dyshohet se janë pikërisht njerëz të kësaj familje që kanë dashur ta eliminojnë për herë të dytë brenda vitit. Biznesmeni nga Memaliaj i shpëtoi një atentati në 9 gusht të këtij viti në ishullin Paxos të Greqisë, teksa pushonte me familjen. Autori, ende i paidentifikuar, i cili dyshohet se mbërriti në ishull me jet-ski, hapi zjarr ndaj Kalemit duke e lënë të plagosur rëndë.
Policia greke e arrestoi Kalemin pasi zbuloi se ai kërkohej nga policia për një cështje të vjetër dhe e transferoi atë në burgun e Koridhalos pas kaloi rrezikun për jetën. Ai është kushëri i parë i Aleksandër Sadikajt, i ekzekutuar në një atentat me eksploziv në Sauk të Tiranës në qershor 2022. Dyshohet se Sadikaj është vrarë nga njerëzit e Papës për një aferë të prishur droge. Përballja mes dy bandave dikur aleatë në trafikun e drogës, ka lënë disa të vrarë e të plagosur por duket se ende s’ka mbaruar.