Politike
Planet e dhëndrit të Donald Trump për investime në Sazan/ Rama: Delirojnë për rrezikun
Në fjalën e mbajtur para Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama konfirmoi dhe mbrojti atë që doli në mediat ndërkombëtare në lidhje me planet për investime të dhëndrit të Doland Trump në ishullin e Sazanit.
“Ata që numërojnë udhëtimet e mia me chartet dhe bërtasin për miliona euro të shpenzuara, edhe pse sot shpenzimet e mia janë më pak se ato të paraardhësit tim, kur ishin në qeveri imagjinonin se sa turistë do të kishin regjistruar vetëm me vajtje-ardhjet e mia.
Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-Presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të realizuar dy investime të mëdha turistike në Shqipëri. Po ata që deri dje na tregonin Malin e Zi si shembull të paarritshëm për investimet e huaja direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.
Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveç se ushtarëve të Enver Hoxhës që vëzhgonin me dylbi zbarkimin e flotës së 7 amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Hija e ish-presidentit amerikan, i pengon ata më gojështhururit t’i bashkëngjiten këtyre zërave për mua, djali i paudhë që doli nga thesi i parave të Sorosit, me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit”, tha Rama gjithashtu