Kosova
Plani ishte për të vr*arë policët e Kosovës…
Grupi Ndërkombëtar i Krizave e ka vendosur konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në listën e krizave për t’u vëzhguar në Evropë gjatë vitit 2024, krahas luftës në Ukrainë.
Në lidhje me këtë, eksperti për Ballkanin i kësaj organizate Marko Prelec, i tha Zërit të Amerikës se pritjet për një normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë këtë vit janë zbehur plotësisht dhe se veprimet e fundit tregojnë se asnjëra palë nuk është e interesuar për t’i dhënë fund konfliktit.
“Nuk po paralajmërojmë një konflikt të shkallës së gjerë, por jemi të shqetësuar se ky konflikt do të kalojë në gjendje të ngrirë sërish. Në Kosovë shohim një qeveri që po shtrin sovranitetin e saj në veri, që kundërshtohet nga një pjesë e popullatës vendase, e cila vazhdon të mbështet tek institucionet e Serbisë, të cilat funksionojnë aty në mënyrë të jashtëligjshme. Shtrirja e sovranitetit ishte e pashmangshme, por mënyra se si është bërë eshte alarmuese dhe shqetësuese për popullatën vendase. Ka patur rezistencë, e cila mund të vazhdojë, por, nuk mendoj se do të ketë përshkallëzim më të madh sa ai që kemi parë deri tani” – deklaroi Preleç
Teksa ai ka theksuar nevojën për dialog si mënyra për të tejkaluar tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ndërsa ka një dekadë që dialogu nuk ka arritur të zbusë tensionet, njohësi I zhvillimeve rajonale theksoi: –
“Dialogu nuk ka prodhuar shumë rezultate, por nëse shikojmë tërë periudhën historike, që kur Bashkimi Evropian filloi të ndërmjetësojë rreth vitit 2011, janë shënuar arritje të rëndësishme. E tërë historia e integrimit të serbëve në Kosovë është bërë për shkak të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por vitet e fundit ka shumë pak rezultate, për të mos thënë aspak. Ajo që kemi parë janë veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës që kane ndryshuar gjendjen në terren”.
Në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, I bëhet thirrje BE-së që të ushtrojë trysni mbi Serbinë për të gjetur burimin e armatimit të rëndë dërguar paramilitarëve serbë në Kosovë. Ne lidhje me kete, Preleç sqaroi: –
“Është e qartë që ato armë erdhën nga Serbia dhe janë dërguar kohët e fundit. Pra, janë prodhim i kohëve të fundit. Këto armë nuk mund t’i gjesh, të themi, në treg të hapur. Ka shumë mundësi që grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi të jetë stërvitur deri diku nga ushtria e Serbisë. Kjo është çfarë dimë. Ajo çfarë nuk e dimë saktë është se cili ishte qëllimi i tyre. Unë do thoja se kishin si synim nxitjen e një konflikti të armatosur me njësitë speciale të policisë së Kosovës me shpresë që KFOR-i do të tërhiqej në konflikt duke u futur mes të dyja palëve dhe të merrte kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës dhe do t’i urdhëronte autoritetet e Kosovës që të largoheshin tërësisht nga ajo pjesë. Për mua vetëm kjo ka kuptim. Grupi nuk duket të ketë qenë aq i madh numerikisht sa për ta marrë vetë kontrollin e plotë mbi tërë veriun e Kosovës. Por nga ana tjetër armatimi i tyre ishte i tillë që përdoret vetëm kundër një kundërshtari të armatosur mirë me armë të blinduara si njësitë speciale të Kosovës. Rrjedhimisht, mund të mendohet se kishin në plan t’i përdornin këto armë dhe me qëllim për të vrarë”
I pyetur se “Çdo të thotë kjo për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj rajonit?” – Marko Prelec deklaroi: –
“Nuk është sekret që Serbia nuk pajtohet me humbjen e Kosovës dhe se ende shpreson që ta rimarrë Kosovën, sigurisht jo të tërën, dhe këto shpresa janë të përqëndruara në veri, në pjesë e banuar me shumicë serbe. Shumë vëzhgues, përfshirë mua, e shohim logjikën e të menduarit të qeverisë në Beograd si jo të qartë dhe të vështirë për t’u lexuar. Andaj na mbetet ta gjykojmë përmes veprimeve të tyre. Dhe nganjëherë, si në këtë rast, ato flasin më shumë se fjalët”……………………