Bota
Plani për Ukrainën/ Bolton kritik: Trump po shikon për një zgjidhje të shkruar nga Kremlini

John Bolton, ish këshilltar për sigurinë kombëtare gjatë administratës së parë të Donald Trump, paralajmëroi se marrëveshja e propozuar e presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë afrohet ndaj objektivave të Vladimir Putin dhe paralajmëroi se procesi mund të çojë në daljen e SHBA nga NATO.
Bolton, i cili shërbeu nën Trump për 17 muaj nga 2018 deri në 2019 në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë përpara se të largohej për shkak të një përçarjeje për politikën e jashtme, tha se rezultati i çdo marrëveshjeje të tillë do të ishte dobësimi i sigurisë së Ukrainës dhe Evropës.
Bolton parashikoi se një fund i nxituar i luftës në Ukrainë mund të hapte me shpejtësi derën për daljen e SHBA nga NATO.
Mendova se Trump do të tërhiqej nga NATO dhe ai nuk e ka bërë ende këtë, por ju mund të dëgjoni muzikën që fillon të luhet”, tha Bolton. “Do të kishte një armëpushim, do të krijohej një zonë e militarizuar, do të fillonin negociatat, Ukraina do të pranonte të mos anëtarësohej në NATO – që është një zgjidhje që me të vërtetë, ata mund ta kishin shkruar në Kremlin”.
Sipas tij, liderët evropianë rrezikojnë të marrin vendime të gabuara duke pranuar një marrëveshje të mundshme Trump-Putin.
I pyetur se si e shikonte zotimin e Starmer për të vendosur trupa britanike në Ukrainë për armëpushimin, Bolton tha: “Unë jam kundër vendosjes së një force paqeruajtëse. Përvoja me Kombet e Bashkuara ka treguar se sapo të vendosni një forcë paqeruajtëse, ajo mund të bëhet pjesë e përhershme e peizazhit dhe në këtë rast të jetë një ndarje de fakto e Ukrainës që mund të bëhet de jure pas një periudhe kohore.”
Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare argumentoi se Evropa do të vepronte mirë nëse do të mbështeste Ukrainën fuqimisht duke rifurnizuar me armë, në vend që të angazhohej në skenarët mes Trump dhe Putin.
“Nuk ka asnjë detyrim absolut për të pasur negociata për një armëpushim,” tha ai. “Pra, nëse nuk jeni të përgatitur të hiqni dorë nga çdo mundësi që Ukraina të rimarrë territorin e saj, ideja se do të ngrini linjat ekzistuese të kontrollit është potencialisht shumë e rrezikshme.”

