Kronike
Plumbat që tronditën Shkodrën/ Autori gjatë arratisjes la motorin dhe grabiti “BMW”, shkaktoi dy aksidente

Ragip Gila dështoi të arratisej pas atentatit mafioz që tronditi Shkodrën mëngjesin e kësaj të hëne.
Fillimisht ai doli nga lokali ku kreu vrasjet me motor, e më pas, me skafandër në kokë, tentoi të gjente një makinë të rastit.
Dyshohet se ka marrë me forcë një mjet tip ‘BMW’ për t’u arratisur më shpejt, por rrugës është përplasur me dy automjete të tjera.
Pas këtyre skenave ai u pikas nga policia dhe u arrestua në afërsi të lumit Kir, bashkë me automatikun që kreu vrasjet.
Shenjestër ai duket se kishte Erogen Vason, por nga të shtënat në lokal mbetën të vrarë shoku i Vasos, Armando Pali dhe Liridon Kraja. Plumbat kapën gabimisht edhe një 25-vjeçare, e cila punonte kameriere në lokalin ku ndodhi vrasja.
Ragip Gila është emër i njohur për policinë. Në dhjetor të vitit 2023, Gila u arrestua për arsenal armësh, pasi në banesën ku jetonte, iu gjetën sende që përdoreshin nga grupe kriminale në Shkodër dhe sasi të lëndëve narkotike.
Dy vite më parë atij iu sekuestruan 7 jelekë anti-plumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Për këtë ngjarje kriminale ai është dënuar me 5 vite burg, por në një vendim të 4 marsit të këtij viti që mban firmën e gjyqtarit Albert Keraj ai është liruar duke kryer vetëm 13 muaj burg.

