Connect with us

Aktualitet

Po mbështesin Erionin në fushatë/ Sonila Meço revoltohet me artistët

Sonila Meço është revoltuar me artistët që kanë dalë në mbështetje të Erion Veliajt. Ajo thotë se ata po tallen me lotët dhe sakrificën që ajo dhe të tjerë kanë bërë në opozitë.

“Si mund të pretendohet shtimi i vlerës trashëgimore, kulturore dhe identitare të Tiranës me mbështetjen e atyre, që iu turrën epshëm e nuk i kanë lënë bash asnjë vlerë trashëgimore, kulturore e identitare qytetit?

Mirë ata në krye, që kanë misionin, mjetet, filozofinë dhe propagandën atú jetësore, qysh në zanafillë të formimit të tyre, po ti qytetar/e e arsimuar, e mençur, djersitur pune të ndershme, e kthjellët për ndarjen absolute mes të mirës dhe së keqes, vlerës dhe antivlerës, ti mirë, që dorëzohesh, i jep prioritet pragmatizmit se ”murit me kokë nuk i bihet”, se buka e fëmijës është filozofia e vetme, që familja meriton, se nuk ia vlen më asnjë betejë pasi vitet më të mira e të shëndetshme morën tatëpjetën…

…pra ti njeri i mirë, që vendose të shohësh vetëm rehatin tënd (megjithëse fëmijët tanë, ti dhe unë do thithim po të njëjtin ajër, do torturohemi në të njëjtin trafik, pa ujë të pijshëm nē rubineta, duke rrëmuar për diellin përmes hijesh betoni, duke duruar tallavanë të na krekoset si zonjë e rëndë), si nuk të teproi pakëz dinjitet mos e shesësh si arritje madhore, por si pragmatizëm absolut promovimin tënd nga masakrues identiteti, kulture e trashëgimie historike?!

Nuk të gjykon kush kur vendos t’i japësh fund një beteje, që nuk ke më nerv, fuqi, kohë për ta vijuar, ama kurseja vetes “bindjen” se po shet si fitore një humbje për thelbin e vetes.

Dorëzohu, askush nuk vesh dot këpucët e arsyetimit e rrethanave të tua e të të dënojë, por të lutem mos na shit si vlerë personale të njohur për merita nga ata, që u rezistove gjatë për të mos humbur vetveten, sepse nuk duronin dot meritat e tua.

Se këtu s’të fal kush t’ja hedhësh fytyrës pelerinën e betejës tënde, ende me djersën dhe lotët e sakrificave për mos të lejuar pajtimin me të keqen, mundjen e artit, kulturës, tempujve të dijes…

Të drejtohem ty, njeriut që i do betejat, jo të lehtëve, që nuk u hynë kurrë. Bëje atë punë, që të dhanë mu në kohë fushate, kokulur, pa tam-tam-e krenarie, sepse me gjasë do të ta marrin sërish sa të fortifikojnë pushtetin pas 14 majit, se nuk iu duhesh më.

Nuk iu duhesh se as meritat e tua e sidomos dorëzimi yt nuk u premtojnë kontigjent të “racës” së tyre”, shkruan Sonila.

Advertisement