Kosova
Po nxirrnin 40 kg kokainë nga kontejneri, zbulohen EMRAT e 3 shqiptarëve të arrestuar
Ata kishin mbërritur në qytet me një makinë me qira, duke qëndruar natën në motel të zonës. Por mesnatën mes 25 dhe 26 Tetorit ata shkuan me urgjencë drejt portit për të rikuperuar një ngarkesë me 40 kilogramë kokainë të pastër që sapo kishte ardhur me anije tregtare nga Ekuadori, e fshehur mes bananeve dhe brenda një kontejneri.
Tre shqiptarët tashmë të arrestuar në flagrancë teksa po merrnin porosinë, mund të përfitonin nga kjo punë për ‘postën’ 40-50 mijë euro, por dështuan. Vlera e mallit nëse do shitej shkon në të paktën 3 mln euro.
Mediat e vendit fqinj kanë zbardhur itinerarin, skemën dhe emrat e shqiptarëve të ndaluar. Operacioni u krye nga Guardia di Financa dhe Agjencia e Doganës italiane. Lajmi u konfirmua për mediat vetëm më 31 Tetor.
Ndërhyrja u krye në Darsena Toscana, kurse të dyshuarit ndodhen në burgun e Sughere.
Të ndaluarit janë 49-vjeçari Alfons Teqa, 30-vjeçari Athanas Xhuveli dhe 36-vjeçari Rushan Kanushi, ky i fundit rezident në zonën e komunën Sant’Elpidio a Mare, në provincën e Fermos, në Marche.
Të tre nuk thanë asnjë fjalë para prokurorit publik Daniele Rosa dhe kanë marrë avokatë. Dy të parët do të kishin ardhur direkt nga Shqipëria, ndërsa Kanushi ka qenë ndoshta në Itali përpara se të mbërrinte në qyte,t për të rikuperuar sasinë e madhe të drogës. Ata dyshohet se janë punësuar si korrierë për të tërhequr dhe dorëzuar mallin për organizatën. Me vete mbanin çantat e shpinës, ku kishin të gjitha pajisjet e nevojshme për të hapur kontejnerin e sapozbritur.
Anija ishte nisur nga porti i Guayaquil, në Ekuador, me emrin “Cma CGM Imagination”. Flamuri i saj ishte maltez, teksa ka bërë tranzitet e saj në Marsejë dhe Barcelonë, por skaneri në Livorno zbuloi ngarkesën. Droga, e ndarë në 36 blloqe që peshojnë pak më shumë se një kilogram secila, më pas do të digjet në një incenerator, shkruan “Iltirreno”.
Vetëm dy muaj më parë u kap po në këtë port një ngarkesë tjetër e madhe, me 148 kg kokainë që vinte po nga Amerika e Jugut dhe gjithashtu u arrestuan po 3 korrierë të ardhur nga Shqipëria për ta marrë atë.