Connect with us

Bota

“Po punojmë për fitoren e plotë ndaj Hamasit”, Netanyahu: Kemi caktuar datën për ofensivën në Rafah

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi sot se tashmë është caktuar një datë për një ofensivë në Rafah, streha e fundit për palestinezët e zhvendosur nga Gaza.

Megjithatë Netanyahu nuk e zbuloi datën, ndërsa në Kajro po zhvillohet një raund i ri bisedimesh për armëpushim mes palëve.

“Sot mora një raport të detajuar mbi bisedimet në Kajro, ne po punojmë vazhdimisht për të arritur qëllimet tona, para së gjithash lirimin e të gjithë pengjeve tona dhe arritjen e një fitoreje të plotë ndaj Hamasit ”, tha Netanyahu.

“Kjo fitore kërkon hyrjen në Rafah dhe eliminimin e batalioneve terroriste atje. Kjo do të ndodhë, kemi caktuar një datë.”, u shpreh ai.

 

 

Njoftimi erdhi disa orë pasi u raportua se Hamasi dhe Izraeli ishin vetëm dy ditë larg marrëveshjes për një armëpushim që do t’i jepte të paktën një fund të përkohshëm luftës më të përgjakshme në Lindjen e Mesme në dekada.

Hamasi dhe Izraeli kanë dërguar negociatorë në Kajro të Egjiptit, ku u janë bashkuar ndërmjetës nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari.

Advertisement