Kronike
Po ruanin bagëtitë, por më pas kishin hyrë për tu larë, mbyten dy vëllezër të mitur 8 dhe 10 vjeç

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Labinot-Fushë, ku dy të mitur janë mbytur në lumin Shkumbin.
Sipas informacioneve, fëmijët kanë qenë duke ruajtur bagëtitë dhe së bashku me një familjare të tyre kishin hyrë në ujë për t’u larë, por rrjedha e fortë dhe mungesa e sigurisë bënë që ata të mos arrinin të dilnin më në breg.
Paraprakisht raportohet se viktimat janë vëllezër 8 dhe 10 vjeç.
Banorë të zonës dhe forcat e emergjencës që mbërritën aty u përpoqën t’i ndihmonin, por fatkeqësisht, trupat e pajetë të të miturve u gjetën pak më vonë në një kanal të lumit më poshtë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

