Connect with us

Bota

Po shpërblehet autoritarizmi i Vuçiçit/ Toby Vogel: Konflikti mbetet i ngrirë 

Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, është shprehur skeptik se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do mund të arrihet para zgjedhjeve presidenciale në nëntor 2024 dhe zgjedhjeve evropiane në qershorin e ardhshëm, dhe kjo do të krijonte një pasiguri të madhe për rajonin.

Ai gjithashtu vlerësoi se rezultati më i mundshëm është një konflikt i ngrirë i vazhdueshëm, të cilin Beogradi do ta ringjallë sa herë që të jetë i dobishëm politikisht.

Sipas Vogel, është evidente se presidenti Vuçic nuk dëshiron që dialogu të ketë sukses, sepse kjo do të kërkonte njohjen e Republikës së Kosovës si shtet sovran, i pavarur dhe kjo nuk është diçka që ai është i gatshëm ta mendojë.

“Në vend që të ekspozohet fakti evident se Vuçic është pengesa kryesore për çdo negocim kuptimplotë për çështjen themelore për të cilën u krijua dialogu – njohjen e Kosovës nga Serbia – trajtimi nga kryeministri Kurti i disa prej krizave të prodhuara nga Serbia, dhe në veçanti krizës së shkaktuar nga bojkoti serb i zgjedhjeve në veri, i ka mundësuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të vendosin Kurtin në vend të Vuçicit në rolin e prishësit të hesapeve. Kjo është për të ardhur keq, sepse zvogëlon më tej vullnetin e sponsorëve të dialogut për të parë arsyet pse ai nuk po jep rezultat” – deklaroi Vogel duke shtuar se është evidente që SHBA-ja dhe BE-ja janë të mërzitur nga Albin Kurti.

“Një pjesë e kësaj ka të bëjë thjesht me këmbënguljen e Kurtit për disa vija të kuqe. Disa prej tyre kanë të bëjnë me personalitetin, pasi Kurti shihet si “i vështirë”. Por çështjet e tjera janë më shqetësuese.

Dështimi i Kurtit për të bashkërenduar disa hapa me aleatët më të afërt të Kosovës, apo edhe për t’i informuar ata, i ka zemëruar ata në mënyrë të panevojshme dhe ka ngurtësuar pozicionin e tyre” – theksoi Vogel

Sipas tij, “SHBA-ja ashtu edhe BE-ja e shohin Vuçiqin si një shtyllë kyçe të qasjes së tyre ndaj rajonit. Ideja është se ai mund të jetë një ndikim i moderuar mbi Dodikun dhe se ai mund të largohet nga ndikimi i Moskës. Unë nuk mendoj se asnjëra nga këto pika është e saktë dhe besoj se është e rrezikshme të shpërblehet autoritarizmi i Vuçiçit duke ndëshkuar zgjedhjen demokratike të Kosovës”

Advertisement