Connect with us

Aktualitet

Po zbrazen qytetet!

Fshatrat dhe qytetet e vogla nuk ofrojnë mundësi punësimi dhe perspektivë për të rinjtë, duke i detyruar të rinjtë ambiciozë të kërkojnë punë diku tjetër. Për ata që mbeten në vend, paga mesatare mujore prej 470 eurosh me vështirësi i plotëson nevojat elementare të të jetuarit për një familje mesatare

Zenel MIFTARI

Shkup, 4 janar – Në Maqedoninë e Veriut qytete të shumta tani kanë mbetur të boshatisura, pasi që një numër i madh i të rinjve janë larguar nga vendi për në perëndim me shpresë se do të gjejnë një jetë më të mirë se në vendin e tyre. Ashtu si të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor edhe në vendin tonë është ndezur drita e kuqe sa i përket rënies demografike si pasoj e emigracionit dhe plakjes së banorëve. Sipas statistikave jo-zyrtare, vendi ynë në 20 vitet e fundit ka humbur afërisht 10 për qind të popullsisë së tij. Rezultatet preliminare të shtatorit tregojnë se në vendin tonë banojnë afërsisht 1.8 milionë banorë – pra 200.000 banorë më pak se në vitin 2002.

Ndërkohë sipas Bankës Botërore që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, vendin e kanë lëshuar rreth 600.000 qytetar të këtij shteti. Sipas njohëseve të çështjeve, arsyet kryesore të këtij emigracioni janë rritja e dobët ekonomike, mungesa e investimeve, mos perspektiva e të rinjve dhe cilësia e ulët e jetës. Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), ka ngritur shqetësimin e largimit të të rinjve nga vendi. Sipas tij, gjendja është serioze dhe sa më shpejt duhet të merren masa për ta parandaluar këtë. “Nëse nga një vend janë larguar rreth një e katërta e 2.4 milionë banorëve, autoritetet e atij vendi duhet të shqetësohen seriozisht për atë që po ndodhë në vendin e tyre”, u shpreh ai.

Fshatrat dhe qytetet e vogla nuk ofrojnë mundësi punësimi dhe perspektivë për të rinjtë, duke i detyruar të rinjtë ambiciozë të kërkojnë punë diku tjetër. Për ata që mbeten në vend, paga mesatare mujore prej 470 eurosh me vështirësi i plotëson nevojat elementare të të jetuarit për një familje mesatare.

Nga Forumi Rinor Arsimor (FRA), duke i pasur parasysh të dhënat e hulumtimit dhe anketës që i kanë bërë në bashkëpunim me Fondacionin për Demokraci – Westminster, deklarojnë se pakënaqësia e të rinjve në vend vjen si rezultat i mospërfshirjes së tyre në vendimmarrje. “Pakënaqësia e të rinjve në vend vjen si rezultat i mospërfshirjes së të rinjve në vendimmarrje dhe vlerësimi se pozita e tyre nuk është e kënaqshme. Nga anketimi i të rinjve 65 për qind prej tyre nuk janë të kënaqur me pozitën e tyre aktuale në shoqëri, ndërsa 35 për qind vlerësojnë se vendi është duke shkuar në rrugë të gabuar”, thonë nga FRA. Ata kanë deklaruar se në pyetjen se nëse do të kishin mundësi të largoheshin nga vendi 57 për qind janë përgjigjur se do ta kishin shfrytëzuar atë mundësi për t’u larguar nga vendi.

Pa dyshim se interesimi më i madh për të shkuar janë vendet e Evropës e veçanërisht Gjermania. Ndërkohë për shkak të interesimit të madh për viza, ambasada e Gjermanisë në Shkup ka njoftuar se nga shkurti 2022 do të aplikohet çdo muaj një procedurë lotarie për dhënien e vizës. Për këtë qëllim, në shkurt do të hapet për herë të parë një listë e re regjistrimi, e cila do të jetë e hapur vazhdimisht për një periudhë më të gjatë. Më pas, në mënyrë të rastësishme, nga të gjitha regjistrimet do të nxirren ata që do t’u jepet termin për mars 2022. (koha.mk)

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *