Shkrime
Politika e Biden e dështuar/ Bugajski për tensionet në veri të Kosovës
Njohësi politikës në Ballkan, Janosz Bugajski, ka folur për situatën në veri të Kosovës, por edhe më gjerë, si dhe për qasjen e administratës amerikane ndaj kësaj situate.
“Kemi pritur një qasje më të mençur nga administrata e Biden-it, duke shkurtuar një pjesë të kontrollit të Serbisë në Kosovë për të rritur numrin e njohjeve por edhe njohjen nga Serbia, jo vetëm njohjen de facto”, deklaroi Bugajski.
Më tej, ai tha se kohëve të fundit po vërehet se ka një lloj tendence të favorizimit të shteteve në rajon si të Kroacisë, Serbisë e Shqipërisë, në vend të Bosnjës, Kosovës, etj.
“Pra duket se ka një qasje dyshtresore. Sa më agresiv që je merr më shumë koncesione, ndërsa vendet e vogla nëse janë agresive, vihen nën presion. Kjo administratë duke i shërbyer dominimit, më shumë i shërben jostabilitetit, konfliktit dhe dhunës”, sqaroi Bugajski.
I pyetur se në çfarë pike janë raportet mes Kosovës e SHBA-së pas reagimit të Sekretarit Blinken ndaj situatës në Kosovës, Bugajski tha se për gjendjen e tanishme më së shumti gëzohet Beogradi.
“Ky bashkëpunim do të duhej të riparohej dhe SHBA duhet ta thonë qartë se çfarë nënkupton me ‘normalizim të marrëdhënieve’ dhe si të arrihet atje, që duhet të nënkuptojë njohjen e ndërsjellë, sepse kemi pasur shumë marrëveshje por asnjë lloj zbatimi” – deklaroi Bugajski, teksa shtoi se më pak se kaq do të kemi probleme të përsëritura, sidomos nga ana e Serbisë,e cila do ta destabilizojë situatën dhe do të pengojë çfarëdo lloj marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve.
Për qasjen kritike të administratë amerikane kundrejt Kosovës, Bugajski deklaroi: “Kjo administratë është nën nivelin e arritjes së politikave kur Biden ishte senator, ku ka këshilluar për politikën në Ballkan, në zgjidhjen e luftërave, parandalimi i konflikteve në të ardhmen, pastaj pavarësimi i shteteve. Pra është tërhequr nga kjo formulë dhe kjo është shumë e rrezikshme”
Ndërkaq për deklaratën e kryeministrit Kurti kundrejt Sekretarit Blinken të cilit e ka vlerësuar si naive, Bugasjki u shpreh se e mbështetë plotësisht.
Lidhur me raportet SHBA-Kosovë, Bugasjki shpreh besimin se do të shtensionohen dhe nuk do të arrijnë deri te ajo pikë sa marrëdhëniet të mund të shkëputen apo që të ketë zgjedhje të reja.
Ai kritikoi administratën e Biden-it për mungesë të vëmendjes së duhur në atë se çfarë është duke ndodhur në Serbi.
Ai vuri në dukje interesimin e Vuçiç për ta përdorur situatën në Kosovës për të ruajtur pushtetin vet, përmes ngritjes së nacionalizmit atje.
Bugasjki në fund tha se administrata Bidenit mbështetë autokracinë dhe fajëson demokracinë, që, sipas tij, është politikë e dështimit.