Connect with us

Bota

Politika ‘kuçkë’ moderne/ Jean-Marie Le Pen, gogoli plak që hodhi farën e parë

Herën e parë që Jean-Marie Le Pen doli në zgjedhjet presidenciale franceze, në vitin 1974, ai fitoi 0.75% të votave. Gjysmë shekulli më vonë, vajza e tij Marine drejton partinë më të madhe në parlamentin francez dhe mund të bëhet kreu i ardhshëm i shtetit.

Plaku Le Pen, i cili vdiq këtë të martë në moshën 96-vjeçare, ishte për dekada bajraktari i ekstremit të djathtë të politikës franceze, një provokator i përjetshëm, racizmi dhe antisemitizmi i paturpshëm i të cilit, thuhej se ai e bënte më shumë për të ngjallur zemërim sesa për të marrë pushtetin.

Por trashëgimia e tij është thelbësore. Një vështrim i shpejtë në vendin e pushtuar tashmë nga e djathta ekstreme në politikën franceze dhe evropiane tregon se sa jashtëzakonisht i fuqishëm ishte mesazhi i tij kundër imigracionit, anti-elitës, anti-globalizimit, anti-BE-së.

Ndoshta nuk ishte koha e duhur dhe ai nuk ishte personi i duhur për ta ofruar.

Një ish-parashutist, Le Pen u zgjodh për herë të parë në parlament në moshën 27-vjeçare, si deputeti më i ri i Francës, nën mbrojtjen e Pierre Poujade, kreut të një lëvizjeje populiste, kundër taksave, kundër modernizimit, anti-shtet të mbështetur nga tregtarë dhe pronarë të bizneseve të vogla.

Ai kaloi pjesën më të madhe të viteve 1960 në një sërë partish të vogla të krahut të djathtë, duke e vënë përfundimisht fokusin si opozitar nacionalist ndaj Charles de Gaulle, të cilin ai e akuzoi se “e bëri Francën përsëri të vogël” duke i dhënë Algjerisë pavarësinë.

Në vitin 1972 ai bashkëthemeloi Frontin Kombëtar “kombëtar, social dhe popullor” mbështetësit e të cilit varionin nga fondamentalistët katolikë deri tek tifozët e Philippe Petain, udhëheqësit të qeverisë kolaboracioniste të Francës gjatë kohës së Luftës së Dytë, nga mbështetësit e mbretërisë e deri tek ish-kolonialistët.

Running in the 1974 French presidential election for the National Front, Jean-Marie Le Pen hails supporters at a campaign meeting in Paris. His wife Pierrette is on his right. AFP

Edhe pse disa pranë tij ishin ish-bashkëpunëtorë të nazistëve, Le Pen gjithmonë mohonte çdo prirje fashiste, duke e portretizuar veten si trashëgimtar i një ideologjie ultra-nacionaliste shekullore dhe qartësisht franceze.

Dalëngadalë, ai filloi të fitonte më shumë se vetëm të djathtët nostalgjikë dhe ish-kolonialistët e zemëruar.

Fundi i bumit ekonomik të njohur si “les trente glorieuses”, (e tridhjeta e lavdishme) emigracioni që rritej me shpejtësi nga ish-kolonitë e Francës dhe rënia e industrisë së qymyrit dhe çelikut çuan më shumë votues të klasës punëtore, shpesh ish-të majtë në radhët e Frontit Kombëtar.

Në vitet 1980 partia po fitonte 10% e më shumë në zgjedhjet parlamentare dhe evropiane, duke u rritur në 15% në zgjedhjet presidenciale të 1995-ës dhe në 2002-in arriti në 16.7% duke e shkaktuar një tërmet politik që e çoi Le Pen deri në balotazhin e dytë.

Në fund të fundit, megjithatë, ishte vetë Le Pen ai që provoi pengesën e madhe për rritjen e mëtejshme të partisë së tij. Etja e tij e pashuar për provokime i shkaktoi dënime të shumta për nxitje të urrejtjes racore dhe faljen e krimeve të luftës.

Ai u shpreh atëherë se presidenti i ardhshëm Nicolas Sarkozy, djali i një emigranti hungarez, nuk ishte mjaftueshëm francez për të mbajtur atë detyrë dhe ekipi francez i futbollit fitues i Kupës së Botës kishte shumë “lojtarë me ngjyrë” për të qenë francez.

Ai deklaronte se imigracioni afrikan do ta “zhyste” vendin dhe se pushtimi nazist i Luftës së Dytë Botërore në Francën veriore “nuk ishte veçanërisht çnjerëzor”. Ai e përshkruante vazhdimisht Holokaustin si një “detaj” të historisë.

Në një epokë tjetër, atë të ekstremizmit të qëllimshëm të përçarjes, polemizuese dhe të drejtuar nga mediat sociale, të populluar nga njerëz si Donald Trump dhe liderë evropianë të ekstremit të djathtë si Geert Wilders dhe Alice Weidel e AfD-së së Gjermanisë, ai edhe mund të kishte funksionuar.

Në atë kohë, nuk ndodhi. Le Pen u tërhoq nga politika e vijës së parë në vitin 2011 kur vajza e tij, Marine mori detyrën si udhëheqëse e Frontit Kombëtar. Ajo nisi një fushatë afatgjatë për të pastruar imazhin e partisë nga ajo që e quajti “demonizim”, një pranim i nënkuptuar i ndikimit të babait të saj.

Të dy u grindën keq 4 vjet më vonë, në vitin 2015, kur Marine e përzuri babanë e saj nga partia që ai kishte bashkëthemeluar pasi ai përsëriti përsëri në publik fjalët e tij për Holokaustin. Ajo tha se ishte krejtësisht kundër qasjes së tij duke i hequr atij edhe titullin e presidentit të përjetshëm të partisë.

3 vjet pas kësaj, në një poshtërim përfundimtar për të atin, ajo e quajti partinë që drejtonte tashmë të “detoksifikuar”. Ajo ka kapur balotazhin në dy zgjedhjet e fundit presidenciale franceze, duke shënuar 34% në 2017 dhe 41% në 2022 dhe është kryesuese për garën e 2027-ës.

Por ndërkohë, platforma kryesore politike e Jean-Marie Le Pen është bërë normale. Ajo është përqafuar nga partitë kryesore të qendrës së djathtë në të gjithë Evropën, të dëshpëruara për të tërhequr votuesit. Stili i tij polarizues i të bërit politikë po bëhet i tillë gjithashtu.

Partitë e ekstremit të djathtë që mbajnë të njëjtat pikëpamje, kundër imigracionit, kundër elitave dhe anti-BE aktualisht udhëheqin qeveritë kombëtare në 3 vende të BE-së, janë në (ose mbështesin) koalicionet e krahut të djathtë në 3 të tjera dhe së shpejti mund të jenë në pushtet në 4 të tjera.

Partitë e mëdha konservatore vijojnë të besojnë se nëse marrin politika të ashpra mbi imigracionin do t’u pëlqejë votuesve të zhgënjyer duke i larguar nga ekstremi, por provat po tregojnë zgjedhje pas zgjedhjesh se e kundërta është e vërtetë.

Në një nga analizat e tij në vitin 1990, Le Pen e shpjegoi kështu këtë situatë duke folur për presidentin e atëhershëm francez Valéry Giscard d’Estaing. “Ai preferon më mirë të zgjidhet sipas ideve tona, sesa të luftojë për të tijat. Por në përgjithësi, njerëzit preferojnë më shumë origjinalin sesa kopjen” – tha Le Pen. ©Marrë nga The Guardian…

Advertisement