Bota
Polonia dhe Rumania nisin “murin e dronëve” kundër Rusisë
Polonia dhe Rumania kanë filluar ndërtimin e asaj që zyrtarët e NATO-s e quajnë një “mur dronësh”, një sistem i ri mbrojtës që synon të mbrojë kufijtë lindorë të Aleancës nga dronët rusë, pas një serie shkeljesh të hapësirës ajrore në muajt e fundit.
Lajmi u raportua nga agjencia Associated Press, e cila citon zyrtarë ushtarakë të NATO-s se vendosja e këtij sistemi synon të mbulojë kufirin nga Norvegjia në veri deri në Turqi në jug, për të penguar çdo tentativë të forcave ruse për ndërhyrje.
Sistemi i ri, i quajtur Merops, është amerikan dhe mjaft kompakt për t’u vendosur në pjesën e pasme të një kamionçine mesatare.
Përveç Polonisë dhe Rumanisë, Danimarka është vendi i tretë që ka vendosur ta përdorë këtë teknologji, sipas zyrtarëve të NATO-s të cituar nga AP-ja.
Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe në Rumani, ndërsa përkohësisht janë mbyllur aeroporte në Kopenhagë, Mynih, Berlin dhe Bruksel, pas alarmit për dronë. Disa dronë janë parë gjithashtu pranë bazave ushtarake në Belgjikë dhe Danimarkë.
Edhe pse origjina e disa prej këtyre dronëve nuk është konfirmuar zyrtarisht, zyrtarët perëndimorë paralajmërojnë se një betejë e zgjatur me dronë – ose një luftë e plotë si ajo në Ukrainë – do të kishte kosto të mëdha për vendet e NATO-s dhe do të konsumonte rezervat e tyre të raketave.