Rajon
Ponosh para takimit Bislimi-Petkoviç: Vuçiç garantoi se…
Ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, Zdravko Ponosh, ka konsideruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka pranuar zbatimin e disa prej zotimeve që rrjedhin nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksi i Implementimit (Ohër, 18 mars), përfshirë draft-statutin e Bashkimit Evropian (BE) për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Kryetari i partisë opozitare “Qendra e Serbisë” dhe një ndër zërat e moderuar në Beograd, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka thënë se presidenti serb ka pranuar njohjen e dokumenteve dhe simboleve shtetërore të Kosovës deri më 15 nëntor, si edhe ka shtuar se “prandaj edhe ri-regjistrimi i makinave në Kosovë, është duke vazhduar kaq shpejt”.
Ponosh ndër të tjera ka konstatuar se presidenti serb tani është në pritje që draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga kryeministri Albin Kurti, teksa ka akuzuar autoritetet serbe se kanë rënë pre e nënshtrimit dhe shantazhit të jashtëm.
E teksa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” është duke vijuar, më 16 nëntor do të takohen në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – për të diskutuar hapat drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.