Politike
Porti i Durrësit/ Balla-Alibeajt: Greqia e donte për vete si projekt
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i është përgjigjur deputetit të Partusë Demokratike Enkelejd Alibeaj, i cili deklaroi se qeveria shqiptare ia ka dorëzuar Portin e Durrësit një kompanie offshore dhe se nga kjo marrëveshje del me humbje. Në një postim në Facebook, Balla shkruan se në projektin e Portit të Durrësit do të punësohen 12 mijë persona. Ai shton se në Greqi qeveria është kritikuar për faktin që nuk ka pranuar investime të huaja për Portin e Selanikut, kurse këtu në Shqipëri kritikohet për të kundërtën.
Postimi i plotë:
Aleanca Rublave do të vazhdojë të sulmojë Portin Turistik të Durrësit, për hesap të bordorosë ku ata firmosin çdo ditë, për shkak të urrejtjes dhe tradhëtisë ndaj Shqipërisë dhe interesave të saj. Nuk ka shqiptare e shqiptar që nuk e ka kuptuar që ky sulm i opozitave është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit.
Pak ditë më parë në parlamentin grek, vend anëtar i Bashkimit Europian, opozita kritikoi Qeverinë për humbjen e këtij investimi, me arsyetimin pse po shkon në Shqipëri dhe nuk e mori Qeveria greke për Portin e Selanikut. Ndërsa në Shqipëri opozitat janë vënë në garë me njëra-tjetrën se kush e sulmon më shumë Qeverinë pse pse e solli këtë investim në Durrës. O zot!
Projekti ka një vlerë investimi mbi 2 miliardë Euro me një impakt ekonomik direkt që përfshin të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen nga zhvillimi i kësaj zone, si të ardhurat nga shitja e apartamenteve, hoteleria, ankorimi i anijeve e jahteve, etj.
Impakti Direkt përfshin gjithashtu punësimin e rreth 12.000 personave, fillimisht në ndërtimin e kësaj zone, më pas gjatë menaxhimit të saj si punësimi në hotele, në restorante, në njësi biznesi dhe shërbimesh. Zhvillimi i zonës do të sjellë për Durrësin përmirësim të infrastrukturës dhe faciliteteve urbane, forcimin e komunitetit, ofrimin e shërbimeve sociale, rivitalizimi të artit dhe kulturës në një mjedis turizmi elitar.
Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj duke folur nga Kryesia e Kuvendit për marrëveshjen e firmosur nga ana e qeverisë për ndërtimin e Portit të Durrësit ka treguar dhe shkeljet që sipas tij qëndrojnë në projekt. Ai hodhi akuza të forta sa i përket kompanisë që ka fituar projektin duke thënë se nuk është ajo që reklamohet nga ana e qeverisë, por një kompani që është regjistruar ofshoor në ishujt Kajman. Alibeaj tha se vendi ynë është në listën e zëzë të patrimit të parave dhe duke iu referuar projektit për ndërtimin e Portit të Durrësit ai ngriti dyshime se po përdoret e njëjta skemë si ajo me ndërtimin e Kullave në Tiranë. Deputeti demokrat tha se shteti nuk ka asnjë fitim nga kjo marrëveshje dhe se e gjitha është bërë bërtë në mungesë totale të transparencës.