Connect with us

Politike

Porti i Durrësit/ Deklarata e deputetit të PS: Lagje moderne, jo për të pastrehët

Fushata e nisur nga kryeministri Edi Rama për të mbrojtur projektin e dyshimtë të portit të Durrësit dhe skemën me të cilën po tentohet t’i fallen 1 milion metër katrorë tokë Mohamed Alabbarit dhe klientëve të qeverisë, tashmë është bërë intensive.

Nga justifikmet në rang ministrash me Belinda Ballukun dhe Elisa Spiropalin që u përpoqën të mbrojnë “Durrës Yachts & Marina” në Kuvend dhe Komisionet Parlamentare, propaganda pro Alabbarit ka zbritur në nivel deputetësh e drejtuesish lokalë.

Por njëjtë si Rama që mashtroi me një fake-news për “Manhatanin e Zagrebit” teksa përpiqej të pastronte imazhin e nxirë të kontratës së tij me arabët për portin e Durrësit, edhe deputeti i tij për qytetin bregdetar Alban Xhelili ka dështuar me sukses.

Gjatë një debate televiziv për projektin në fjalë, deputeti i qarkut Durrës për Partinë Socialiste përdori gjuhë diskriminuese për durrsakët.

Sipas Xhelilit, qytetarët durrsakë të cilët kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti i vitit 2019 nuk duhet të përfitojnë banesa në zonën e apartamenteve që do të ndërtohen si pjesë e projektit të Portit të Durrësit.

Kjo pasi, Xhelili pretendon se zona e apartamenteve do jetë një vend krenarie për qytetin e Durrësit dhe se është një investim i madh dhe të pastrehët nuk janë të denjë për të përftuar shtëpi në pallatet e ngritura mbi pronën publike që qeveria po ja fal privatit me VKM.

A do ishe dakord po t’i falnim një zonë të tillë ku do të jetë vend krenarie për qytetin e Durrësit familjeve të pastreha? Ne po bëjmë gjithë atë investim, për familjet e pastreha ne po bëjmë një qytet, ajo nuk do jetë geto, do jetë lagje moderne. Kush e tha që nuk janë të denjë, as ti dhe unë nuk jemi të denjë për të qëndruar te Marina, fola për veten time. Je pak konfuz, thashë që edhe unë nuk jam i denjë për të Marina. Nuk e thashë atë gjë, me 1500 euro metrin katror nuk ka mundësi shteti t’i sistemojë të gjithë aty”, u shpreh ai gjatë debatit.

DEBATI:

Igli Cara: Me 33% na takojnë goxha. Ti marrim këto 4 mijë apartamente dhe të bëjmë një dhurim për familjet e reja.

Alban Xhelili: Ti do ishe dakord që të faleshin në një zonë të tillë që është zonë krenarie për qytetin e Durrësit. Për familjet e pastreha…

Bledian Koka: Pse ç’kanë?

Alban Xhelili: Për to do bëjmë një qytet

Bledian Koka: Pse nuk janë të denja për Marinën, do i çoni në “getto”? Këtë vlerësim ke për qytetarët e tu?

Alban Xhelili: Ata qytetarë i mendoj përditë. Ofendohen kur të dëgjoj ty. As ti edhe unë nuk jemi të denjë për të qenë tek Marina.

Bledian Koka: Po normale se jam i ndershëm, ju i ndani qytetarët. Këtë do ta nxjerr unë nesër, të shohin ç’mendon ke për qytetarët e tu. Ti the që qytetarët e Durrësit nuk janë të denjë për Marinën…

Alban Xhelili: Po nuk i fusim dot.

Bledian Koka: Pse?

Alban Xhelili: Sepse vlen 500 mijë euro një ndërtesë

Bledian Koka: Po është toka e tyre more

Advertisement