Kosova
Poshtërsimi i Kurtit dhe kthimi te Shqipëria i Vjosa Osmanit
“Në fjalimin e saj ne Kuvendin e Kosoves, presidentja Vjosa Osmani kritikoi kryeministrin Albin Kurtin për paaftësinë në ndërtimin e marrëdhënieve me aleatët dhe për nënshtrimin ndaj burokratëve të BE-së dhe VMRO-së. Pasi e quajti atë të dështuar dhe të lidhur me interesa të rrezikshme, ajo tani duket se po kërkon një aleancë më të ngushtë me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke i dhënë keshtu një kthesë të papritur politikës kosovare.” – keshtu ka shkruar ne nje editorial analisti Baton Haxhiu, sipas te cilit “fjalimi i Vjosa Osmanit në Parlament nuk është vetëm një manifest për mbrojtjen e aleancave, por edhe një sinjal i hapur për fundin e bashkëpunimit të saj me Albin Kurtin”
Sipas Haxhiut, “katër vite heshtjeje dhe përkrahjeje politikave të Kurtit, të cilat sot Osmani i quan “bixhoz” dhe “bukëpërmbysje”, kanë shërbyer më shumë për të thelluar problemet se sa për t’i adresuar ato”.
“Ky reagim nuk duket si shprehje e vonuar e shqetësimit strategjik, por më shumë si një përpjekje për t’u pozicionuar si liderja “shpëtimtare” në një kohë kur Kosova po përballet me rritje të presionit ndërkombëtar dhe me një publik gjithnjë e më kritik ndaj izolimit. Në vend që ajo të udhëhiqte në kohën kur Kurti sfidonte aleatët, Osmani zgjodhi të heshtte; tani, në prag të krizës, ajo zgjedh të flasë, por përplasja nuk është zgjidhje. Ky vertete është një akt i drejtpërdrejtë i kritikave ndaj Qeverisë Kurti, por gjithashtu eshte një distancim që vjen me vonesë” – ka theksuar Haxhiu, sipas te cilit, “Për katër vite, Vjosa Osmani heshti ndërsa Albin Kurti udhëhiqte politikën e Kosovës, dhe tani, në një moment kur asgjë nuk mund të përmirësohet, e quan atë të paaftë për të ndërtuar marrëdhënie me aleatët dhe për të menaxhuar dialogun me BE-në”. Në fund, shkruan analisti politik, ky fjalim tingëllon më shumë si një kalkulim për pushtet, se sa si reflektim i vërtetë i dëshirës për bashkëpunim dhe sukses.