Connect with us

Bota

Pozita e re nuk do ta shkëpusë Cholletin nga rajoni dhe Kosova

Derek Chollet ka qenë një nga njerëzit kryesor të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili i ka kushtuar kohë procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Atë shpesh herë e kemi parë teksa ka ndërhyrë me telefonata nga Washingtoni, ndërkohë ai vetë ka realizuar edhe vizita në rajon, specifikisht Kosovë dhe Serbi, për të prezantuar kërkesën amerikane për vazhdimësi të dialogut deri në marrëveshje dhe shpesh herë edhe për mos tensionim të situatës.

Por pas gati tre vite shërbim në ekipin e Blinken, ai është nominuar për të marrë pozitën e Nën-Sekretarit të Mbrojtjes për Politikë. Pavarësisht kësaj lëvizje brenda Qeverisë amerikane, puna e Chollet do të jetë përsëri e lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë të veçantë edhe Kosovën.

Detyra e tij do të jetë krijimi dhe mbikëqyrja e strategjisë dhe politikës së sigurisë ndërkombëtare si dhe politikën ushtarake në lidhje me qeveritë e huaja dhe institucionet e tyre mbrojtëse, përfshirë edhe rregullimet për praninë e forcave amerikane, përdorimin e objekteve ushtarake në vendin pritës, aksesin në territorin e vendit pritës dhe të drejtat e funksionimit dhe mbrojtjen e statusit për personelin e Departamentit të Mbrojtjes të vendosur jashtë SHBA-së.

Këto përgjegjësi, do ta mbajnë të lidhur Cholletin me Kosovën pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë prani ushtarake në Kosovë dhe kanë një nga bazat më të mëdha aty. Ai po përflitet se ditëve në vazhdim pritet që të zhvillojë edhe një vizitë në Kosovë, vizitë kjo që po konsiderohet si një nga më të rëndësishmet.

 

Advertisement