Shkrime
Prapaskenat/ Çfarë po synojnë shërbimet sekrete ruse me veriun e Kosovës
Sipas analistit Shaban Murati, një alarm i habitshëm disproporcional u ngrit në Moskë nga vendimi i NATO-s më 30 maj për të dërguar një kontingjent shtesë prej 700 ushtarësh në përbërje të forcave të KFOR-it në Kosovë, pas sulmeve të dhunshme të bandave të organizuara paramilitare serbe atje
Alarmin e saj të hiperbolizuar diplomatik dhe ushtarak Moska e shtriu në krejt propagandën e saj ndërkombëtare me qëllim që të krijonte një tymnajë të re mbi të ashtuquajturin rrezik, që përfaqësoka NATO në Ballkan.
Në 3 qershor gazeta proqeveritare ruse “Izvestia” shkruante se “Nato po ndjek qëllimet e saj për destabilizimin e Ballkanit. Qëllimi i fundit është shkëputja e plotë e Serbisë nga Rusia, nga ortodoksizmi dhe nga faktori sllav, kalimi në anën e Perëndimit dhe njohja e Kosovës”.
Përtej naivitetit diplomatik dhe propagandistik, alarmi i ri rus për forcat shtesë të NATO-s në Kosovë dëshmon shqetësimin e madh të Kremlinit se zhvillimet e fundit në Veriun e Kosovës dhe në Ballkanin Perëndimor nuk po ecin në drejtimin e planifikuar nga Rusia.
Qëllimi strategjik i Rusisë është që t’i hapë NATO-s një vatër lokale lufte me konflikt të armatosur midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo i duhet Moskës në këtë periudhë krize ushtarake dhe vështirësish të panumërta, që po kalon për shkak të agresionit në Ukrainë, dhe për të dobësuar NATO-n në prapavijat e saj ballkanike. NATO e ka kuptuar strategjinë me qitje të largët të Rusisë për luftë lokale në Veriun e Kosovës dhe menjëherë, qysh të nesërmen e sulmeve të dhunëshme serbe dhe plagosjes së forcave të KFOR-it, shpalli dërgimin e kontigjentit shtesë prej 700 ushtarësh dhe vuri në gatishmëri luftarake një batalion tjetër rezervë për çdo eventualitet të keqësimit të situatës së sigurisë dhe të konfliktit në terren.
Me vendimin e tanishëm për dërgimin e një kontigjenti shtesë të forcave të KFOR-it, NATO prishi planin strategjik rus të provokimit të një konflikti të ri të armatosur lokal në Kosovë. Vendimi atlantik është një mesazh i ri i qartë force në adresë të Rusisë për t’i treguar që NATO nuk do të lejojë asnjë lloj konflikti të armatosur në Ballkan.
Dërgimi i forcës ushtarake shtesë të NATO-s në Kosovë është gjithashtu shprehje e një angazhimi më të fortë në përkrahje të rrugës politike të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit të 27 shkurtit dhe të Ohrit të 18 marsit
Kjo strategji paqeje dhe stabilizimi e NATO-s në Ballkan i djeg shumë Rusisë, ndaj ajo u tremb dhe ngriti një stuhi artificiale për kontigjentin shtesë të NATO-s në Kosovë.
Prandaj edhe zëdhënësja e Kremlinit Maria Zaharova, në 6 qershor i bënte thirrje presidentit Vuçiç të mos zbatojë marrëveshjet europiane.
Lëvizja e tanishme e NATO-s në Kosovë duhet lexuar edhe si lëvizje e SHBA, sepse kuptohet që pa miratimin e Uashingtonit nuk mund të bëhet një hap i tillë nga aleanca atlantike. Kjo ngjall besim te zhvillimet e pritme dhe te strategjia afatgjatë e SHBA në Ballkan.