Politike
Premtimet e Berishës: Në 3 muajt e parë rrisim rrogën mesatare në 1200 euro

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se qeverisja e PD-së do të sjellë ndryshime të shpejta dhe të thella për qytetarët shqiptarë. Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se synimi kryesor i opozitës është përmirësimi i kushteve ekonomike dhe rritja e mirëqenies.
“PD angazhohet për një transformim rrënjësor, të shpejtë. Me vendosjen e minimumit jetik, me rritjen me 25% të rrogës minimale, me rrogën mesatare 1200 euro – këto për 3 muajt e parë të qeverisjes së saj,” tha Berisha.
Ai u ndal edhe tek gjendja e ekonomisë shqiptare, duke kritikuar modelin aktual të zhvillimit. Sipas tij, Shqipëria, ndonëse një vend i pasur me burime, nuk arrin të sigurojë mirëqenie për qytetarët. “Ne do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria, vendi më i pasur me 28 mijë km² që mund të ekzistojë, të prodhojë të mira e begati për qytetarët e saj,” theksoi ai.
Lideri i opozitës foli edhe për sektorin e turizmit, duke e cilësuar atë si të keqmenaxhuar dhe të ndërtuar mbi një platformë “koloniale”. Ai solli në vëmendje diferencën mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në regjistrimin e netëve të fjetjes nga turistët, duke e cilësuar këtë si tregues të një administrimi të dobët.
Berisha ngriti gjithashtu shqetësimin për rënien e investimeve të huaja dhe të eksporteve, duke akuzuar qeverinë për mungesë vizioni ekonomik. “Investimet e huaja? Askush nuk vjen të investojë në Shqipëri. Eksportet? Nga vjet në sivjet 32% më të ulëta,” deklaroi ai.

