Aktualitet
Premtimi i pastudiuar i rritjes së pagës minimale

Nga Aurora Sulçe
Kryeministri Rama premtoi dy ditë më parë rritjen e pagës minimale në 500 euro nga 40 mijë lekë që është aktualisht, një vendim që, sipas tij, do të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm, nëse socialistët fitojnë një mandat të katërt në zgjedhjet e 11 majit. Në pamje të parë, duket një lajm i mirë, pasi iu shërben atyre që paguhen me pagë minimale. Por “djalli” qëndron në detaje.
Si përkthehet rritja e pagës minimale dhe cilat janë efektet në ekonomi?
Paga minimale është paga më e ulët e mundshme që jepet për punëtorët dhe ajo përcaktohet me ligj. Kjo do të thotë se, nëse Rama mban premtimin, nuk do të ketë paga më të ulëta se 500 euro. Paga minimale ka ardhur duke u rritur vitet e fundit, nga 34 mijë lekë në vitin 2022 në 40 mijë aktualisht.
Ky vendim shoqërohet me rritje të kostove për biznesin, pasi ky i fundit detyrohet të rrisë pagat e ulëta. Domethënë, qeveria merr një vendim që pasojat i vuan biznesi. Janë kryesisht subjektet e vogla private, si p.sh. dyqanet e lagjeve, që preken, të cilat, përveç problemeve të shumta që kanë, duhet të përballen edhe me këtë shtim kostoje, çka do të detyrojë një pjesë të tyre ose të shkurtojnë punëtorët ose të ulin qepenat. Kjo do të thotë se do të shtohet armata e të papunëve dhe do t’i duhet shtetit të paguajë më shumë për t’i mbajtur nëpërmjet pagesave të papunësisë.
Vlen të theksohet se një nismë e tillë, që prek drejtpërdrejt biznesin dhe financat e tij, nuk është diskutuar me këtë të fundit, ndërkohë që duhet të kishte ndodhur e kundërta. Duhej të kishte konsultime dhe përballje mendimesh e argumentesh, gjithmonë nëse ajo që iu intereson është ekonomia.
Nga ana tjetër, rritja e pagës minimale çon në rritje të të ardhurave për ata që marrin pagë minimale dhe, automatikisht, kjo shoqërohet me rritje të konsumit. Gjithmonë, nëse kjo rritje do të shkojë në xhepat e tyre, pasi mund të ndodhë që, pasi e kanë marrë pagën e rritur në bankë, ta kthejnë diferencën e rritjes në financën e biznesit, siç janë raste që ende, fatkeqësisht, i dëgjojmë rëndom për shkak të informalitetit të lartë dhe deformimit të tregut të punës.
Por vlen të theksohet se përfituesja e madhe është qeveria, pasi rriten të ardhurat për skemën e sigurimeve shoqërore, e cila, siç dihet tashmë, ka aktualisht probleme të forta financiare, duke mundësuar dhënien e bonuseve të premtuara për pensionistët. Kjo do të thotë se, në mënyrë të pashqetësuar, fusim dorën në xhepin e biznesit dhe ia marrim paratë për t’ua dhënë pensionistëve. Ndërkohë që është qeveria që, nëpërmjet mirëmenaxhimit të skemës dhe financave publike në tërësi, duhet të kujdeset për pensionistët dhe t’iu sigurojë atyre një pension dinjitoz.
Një tjetër element që duket se nuk është studiuar në premtimin elektoral të rritjes së pagës minimale është situata që krijon me produktivitetin. Në ekonomi, rritja e pagave bëhet për ata punonjës që janë produktivë, që prodhojnë më shumë e me më tepër cilësi. Pra, është një mekanizëm që e përcakton tregu dhe raporti kërkesë-ofertë, nuk bëhet me urdhër.
Në vend që qeveria të ndihmojë biznesin të rrisë produktivitetin, duke i dhënë mundësinë të shëndoshet financiarisht dhe të rrisë në mënyrë natyrale pagat për punonjësit, bën të kundërtën.
Është e kuptueshme që, përpara zgjedhjeve, partitë të premtojnë edhe “Hënën”, pasi rritjen e pagës minimale e kanë propozuar më herët edhe demokratët dhe, personalisht, kam mbajtur të njëjtin qëndrim.
Por gjykoj se, për nisma që prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe ndikojnë në mirëqenien e tyre, është mirë që të jenë serioze, të konsultuara dhe të studiuara. Kjo i bën partitë politike serioze dhe të besueshme dhe fushatat elektorale të bazuara mbi alternativa dhe jo mbi batuta Facebook-u.

