Shkrime
Presidenca vdekjeprurëse e Trump/ Rekord sulmesh ushtarake dhe lufta me Iranin në qendër të debatit
Asnjë president amerikan në epokën moderne nuk ka urdhëruar më shumë sulme ushtarake kundër më shumë vendeve se sa Donald Trump, sipas një analize të publikuar nga Axios.
Trump ka goditur shtatë shtete gjatë mandatit të tij, përfshirë Irani, Nigerinë dhe Venezuelën, vende që nuk ishin shënjestruar më parë nga sulme të drejtpërdrejta amerikane.
Në vitin 2025, ai autorizoi më shumë sulme ajrore se sa administrata e Joe Biden në katër vite.
Lufta si “mjet paqeje”?
Trump garoi si kandidat anti-luftë, ndërsa Shtëpia e Bardhë argumenton se presidenti gjithmonë shteron diplomacinë, përpara se të veprojë dhe se përdorimi i forcës dërrmuese është rrugë drejt paqes afatgjatë.
Megjithatë, vdekja e tre ushtarëve amerikanë në 24 orët e para të sulmeve ndaj Iranit e ka vënë këtë argument në provë të fortë.
“Do të bëjmë gjithçka që të mos ketë më viktima, por kjo është natyra e luftës”, deklaroi Trump, duke premtuar se do të “hakmerret për vdekjen e tyre”.
“Operation Epic Fury” – fronti më i rrezikshëm
Operacioni kundër Iranit, i quajtur “Operation Epic Fury”, cilësohet veprimi më agresiv dhe me rrezik të lartë i presidencës së tij.
Fushata e përbashkët SHBA-Izrael synon rrëzimin e regjimit iranian dhe shkatërrimin e kapaciteteve balistike, industrisë së raketave dhe flotës detare të Iranit.
Operacioni u nis pa autorizim të Kongresit dhe pas një grumbullimi masiv trupash amerikane në Lindjen e Mesme më i madhi që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.
Rekord sulmesh ajrore
Sipas të dhënave të ACLED, numri i sulmeve ajrore amerikane u rrit ndjeshëm pas rikthimit të Trump në detyrë në vitin 2025, duke arritur afro 300 sulme vetëm në mars 2025.
Përveç fushatave tradicionale kundër terrorizmit në Jemen, Somali, Afganistan dhe Siri, Trump hapi fronte të reja përfshirë një sulm në Nigeri në Ditën e Krishtlindjes, operacione kundër trafikut të drogës në Karaibe dhe kapjen e ish-presidentit venezuelas Nicolás Maduro në Karakas.
Modeli i tij mbetet i qëndrueshëm: pa trupa tokësore, pa angazhime të gjata, por me forcë dërrmuese dhe goditje të shpejta.
Përçarje brenda kampit MAGA
Vendimi për luftën me Iranin ka shkaktuar tension edhe brenda bazës së tij politike.
Komentatori konservator Tucker Carlson e cilësoi sulmin “absolutisht të neveritshëm dhe të keq”, ndërsa figura të tjera të lëvizjes MAGA kanë risjellë deklarata të mëparshme kundër ndërhyrjeve ushtarake.
Edhe zyrtarë të administratës që më parë kundërshtonin luftën me Iranin përfshirë zëvendëspresidentin J. D. Vance dhe drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard tani po mbështesin ose zbatojnë operacionin.
Debati që do të zgjasë
Shtëpia e Bardhë këmbëngul se Irani nuk mund të lejohet të zotërojë armë bërthamore dhe se diplomacia dështoi për shkak të refuzimit të Teheranit për të arritur një marrëveshje.
Por pyetja nëse lufta për ndryshim regjimi në Iran justifikon koston në jetë amerikane pritet të dominojë debatin politik në SHBA për pjesën e mbetur të presidencës së Trump. AP