Politike
Presidenti Begaj bën bashkë mësuesit shqiptarë nga të gjitha trevat: Jeni garancia se integrimi nuk do të thotë asimilim
Në Ditën e Mësuesit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bëri bashkë mësues shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga diaspora, në një ceremoni kushtuar kontributit të tyre për ruajtjen, përcjelljen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit shprehu mirënjohje për të gjithë mësuesit shqiptarë, brenda e jashtë vendit, për misionin e tyre kombëtar.
“Ju jeni ambasadorët tanë më të çmuar. Ju po parandaloni humbjen e shpirtit shqiptar në dallgët e globalizimit. Ju jeni ura që lidh brezat. Ju jeni garancia se integrimi nuk do të thotë asimilim”, u shpreh Begaj.
Presidenti Begaj vlerësoi në veçanti punën e mësuesve shqiptarë në diasporë për ruajtjen e gjuhës amtare.
“Sa herë humb një fjalë shqipe, humb edhe një pjesë e shpirtit tonë. Prandaj, puna juaj në diasporë nuk është thjesht mësimdhënie, por edhe ruajtje e lidhjes shpirtërore me kombin”, tha Presidenti.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu mësuesit veteranë të ardhur nga Kosova për guximin dhe sakrificën e tyre përballë regjimit të Millosheviçit, kur shumë prej tyre i kthyen shtëpitë në shkolla shqipe.
“Ju dëshmuat se një populli mund t’i mbyllen shkollat, mund t’i ndalohen librat, mund t’i kufizohet liria, por kurrë nuk mund t’i ndalohet mendja, nuk i shuhet etja për dije dhe nuk i shteron vullneti për të edukuar brezin tjetër”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj inkurajoi arsimtarët të përballen me sfidat e kohës, duke theksuar se arsimi cilësor mbetet një sfidë kombëtare.
“Gjuha jonë është pasuria jonë e përbashkët dhe mbrojtja e saj është një projekt kombëtar që na përfshin të gjithëve. Shteti duhet të jetë partneri juaj kryesor në këtë mision, duke siguruar që energjia juaj profesionale të ketë mbështetjen e duhur institucionale”, tha Begaj.
Në aktivitetin e zhvilluar nga Presidenti Begaj ishin mësues në pension nga e gjithë Shqipëria, mësues nga shkollat shqipe në Kosovë, Mal të Zi dhe rajon, si dhe mësues të shkollave shqipe të diasporës, të ardhur nga shtete të ndryshme të botës.