Rajon
Presidenti kroat: Kosova i është rrëmbyer Serbisë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka bërë një deklaratë të pazakontë teksa fliste për mediat kroate ditën e sotme. Ndërkohë që foli për luftën Rusi-Ukrainë, Milanoviç tha se ishte Rusia shteti që kishte bërë aneksimin dhe e krahasoi atë me rastin e Kosovës. Ai tha se Kosova i përkiste Serbisë por u aneksua nga bashkësia ndërkombëtare
Ai shtoi më tej se nuk ishte në pikëpyetje kontestimi i Kosovës por krahasimi i koncepteve të cilat sipas tij janë të njëjta, duke theksuar se ndërkombëtarët në njëfarë mënyre e rrëmbyen Kosovën nga Serbia duke e aneksuar dhe se e njëjta gjë po ndodhte edhe me Ukrainën.
Sipas tij, Serbia dhe Rusia nuk janë njësoj. Milanoviç i quajti “çmenduri” disa diskutime në Parlamentin Europian rreth luftës në Ukrainë.
“Ne dhe serbët nuk e urrejmë njëri-tjetrin aq shumë”, ka thënë ndër tjerash presidenti kroat.
Këto deklarata të presidentit kroat, bënë menjëherë bujë në mediat serbe të cilat e kanë publikuar deklaratën e tij me titullin: “Milanoviç e pranoi, Kosova u rrëmbye nga Serbia”.

