Kronike
Presidenti kroat kritikon për standarde të dyfishta ndërkombëtare

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, kritikoi shtetet perëndimore për përdorim të standardeve të dyfishta në politikat ndërkombëtare, duke hequr paralele mes shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë. Ai tha se Rusia mund të përdorë, atë që e ai e quajti “aneksim të Kosovës” nga komuniteti ndërkombëtar si një justifikim për të marrë pjesë të territorit të Ukrainës. “Ne e kemi njohur Kosovës kundër vullnetit të shtetit të Serbisë, të cilit i takon Kosova”, tha ai, duke theksuar se me këtë deklaratë nuk po vë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës – të shpallur më 2008 – por, konceptin e standardeve të dyfishta të Perëndimit. “Rusët janë cinikë dhe do t’i referohen Kosovës….Ne e aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. E morëm nga Serbia. Kush e bëri këtë përveç nesh? Nuk është aneksim, është rrëmbim”, tha ai. Më 30 janar, Milanoviç tha se Gadishulli i Krimesë, që Rusia ka aneksuar nga Ukraina më 2014, kurrë nuk do të jetë pjesë e Ukrainës, teksa foli edhe për kundërshtinë e tij lidhur me dërgimin e armëve në Ukrainë nga Perëndimi. Në dhjetor, ligjvënësit kroatë refuzuan propozimin që shteti t’i bashkohet Bashkimit Evropian në mbështetje për ushtrinë ukrainase, duke vënë në pah ndarjet midis Milanoviçit dhe kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç. Çfarë po bën Perëndimi në Ukrainë, sipas tij, “është thellësisht jomorale” – tha Millanoviç për gazetarët në Petrinja të Kroacisë, duke iu referuar mbështetjes ushtarake të Perëndimit për Kievin. Krahasimet mes Kosovës dhe Krimesë, por edhe Donbasit, janë hedhur poshtë nga ekspertët ndërkombëtarë dhe Qeveria e Albin Kurtit në Prishtinë. Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me Ligjin ndërkombëtar.

