Connect with us

Bota

“Presidenti rus nuk do paqe”/ Trump trondit botën: Putin po na tërheq zvarrë

Presidenti amerikan, Donald Trump shpreh dyshime për gatishmërinë e presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe shton se mund të nevojiten sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë.

Presidenti bëri këtë vërejtje në një postim në platformën Truth Social, teksa ndodhej në bordin e Air Force One, duke u kthyer në Shtetet e Bashkuara, pasi kishte marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut, ku gjithashtu zhvilloi një takim kokë më kokë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Vatikan.

“Nuk kishte asnjë arsye që Putini të lëshonte raketa në zona civile, qytete dhe fshatra, gjatë ditëve të fundit. Kjo më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron ta ndalë luftën,” shkroi Trump në platformën e tij sociale.

“Ai thjesht po më tërheq zvarrë dhe duhet trajtuar ndryshe, përmes ‘Bankës’ ose ‘Sanksioneve Sekondare’? Shumë njerëz po vdesin!!!”

 

 

Ndërkohë, në Moskë, Putin ka përsëritur gatishmërinë e palës ruse për bisedime me Ukrainën pa parakushte, gjatë një takimi me të dërguarin e Trumpit, Steve Witkoff, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax të shtunën, duke cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të shtunën, pas një shkëmbimi “shumë pozitiv” me Zelenskyn në Vatikan, se Ukraina ishte e gatshme për një armëpushim të pakushtëzuar dhe se e ashtuquajtura “Koalicioni i të Gatshmëve” i udhëhequr nga Franca dhe Britania do të vazhdonte të punonte për ta arritur këtë, si dhe për një paqe të qëndrueshme.

“Përfundimi i luftës në Ukrainë është një objektiv që e ndajmë bashkë me Presidentin Trump. Ukraina është e gatshme për një armëpushim të pakushtëzuar. Presidenti Zelensky ma konfirmoi këtë edhe sot. Ai dëshiron të punojë me amerikanët dhe evropianët për ta vënë atë në zbatim.,” shkroi Macron në një postim në platformën sociale X.

Advertisement