Bota
Presidenti Trump, akuza pa prova për manipulim votash
Presidenti amerikan Donald Trump, në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë dje në mbrëmje pohoi pa prova se po i vidhej një mandat i dytë.
“Nëse llogaritni votat e ligjshme, unë fitoj me lehtësi”, tha Presidenti Donald Trump. “Nëse numëroni votat e paligjshme, ata mund të përpiqen të na vjedhin zgjedhjet.”
Presidenti Trump shpenzoi 16 minuta në dhomën e konferencave të shtypit në Shtëpinë e Bardhë duke thënë se avantazhet që ai mbajti në shtetet e lëkundura po “eliminoheshin fshehurazi” ndërsa vazhdonte numërimi i votave.
Ish-nënpresidenti Joe Biden, kandidati për president i partisë demokrate, kryeson ndaj Presidentit Trump si në votën popullore ashtu edhe në numërin më të rëndësishëm të votave të Kolegjit Zgjedhor, i cili përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale.
Presidenti nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarët dhe tre rrjetet kryesore televizive u shkëputën nga transmetimi i drejtpërdrejtë i deklaratës së tij kur ai filloi të bënte pretendime të pabazuara për manipulim, akuzoi demokratët për përpjekje për të vjedhur zgjedhjet dhe bëri deklarata të pasakta në lidhje me republikanët që, sipas tij, nuk ishin lejuar të vëzhgonin procesin e numërimit të votave.
“Ne nuk do të lejojmë që korrupsioni të vjedhë këto zgjedhje të rëndësishme”, u zotua Presidenti Trump, duke shpjeguar se ai është i përgatitur ta çojë këtë çështje në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti fajësoi gjithashtu “sondazhet fallso” para zgjedhjeve të 3 nëntorit që ai pohoi se u bënë për të mbajtur mbështetësit e tij në shtëpi.
Para deklaratës së Presidentit Trump, anëtarë të ekipit të fushatës së tij bënë thirrje për padi ligjore duke sfiduar integritetin e procesit të votimit në disa shtete.
Në një seri postimesh në Twitter të entjen ndërsa rruga e tij drejt fitores u ngushtua, presidenti, i cili qëndroi brenda Shtëpisë së Bardhë gjatë ditës, deklaroi pa dhënë prova se çdo votë që do të vinte pas 3 nëntorit “nuk do të numërohej”.
“Çdo votë duhet të numërohet”, tha kandidati demokrat për president, Joe Biden në një deklaratë të shkurtë për gazetarët në Uilmington të Delauerit, para se Presidenti Trump të fliste në Shtëpinë e Bardhë. “Dhe kjo është ajo që tani e tutje ne do të shohim. Dhe kështu duhet të jetë. Demokracia nganjëherë është e ngatërruar, nganjëherë ajo kërkon pak durim”, tha zoti Biden.
Së bashku me senatoren Kamala Harris, kandidate e tij për nënpresidenti, në podium, zoti Biden shtoi, “Ne nuk kemi dyshim se kur të mbarojë numërimi (i votave), senatorja Harris dhe unë do të shpallemi fitues. Kështu që, unë kërkoj nga të gjithë që të qëndrojnë të qetë.”
Që nga Dita e Zgjedhjeve, ekipi i fushatës së Presidentit Trump ka ngritur ose ka thënë se po ngre padi ligjore në një numër shtetesh, duke bërë pohime të ndryshme në lidhje me procesin e votimit ose atë të numërimit të votave.