Shkrime
Prestigjozja amerikane ‘dërmon’ Aleksandër Vuçiçin
“Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, mori detyrën në vitin 2021, administrata e tij e shpalli Ballkanin Perëndimor, prej kohësh të paqëndrueshëm, një përgjegjësi për Europën dhe me kalimin e kohës ata konstatuan se Serbia, vendi më i madh në rajon, mbeti me kokëfortësi në orbitën e Rusisë. Zyrtarët amerikanë shqetësoheshin se Rusia me siguri do ta mbështeste Serbinë në tentativat e saj për të provokuar dhunë në Rajon. Këto shqetësime u bënë edhe më të theksuara pas pushtimit rus të Ukrainës.” – Kështu shkruan e përditshmja amerikane, “The Washington Post”, duke treguar se “ Politika e presidentit amerikan ishte ta mbante ‘të përqafuar’ presidentin autoritar Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për ta ndarë Serbinë nga Rusia, një politikë kjo që tani po formësohet gjithnjë e më shumë si dështim”.
Në dy javët e fundit, opozita serbe protestoi për shkak të parregullsive të mëdha në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 17 dhjetor. Ndërkohë, skenat e përplasjes së policisë me protestuesit janë bërë të zakonshme në Serbi. Por këtë herë, presidenti Vuçiç dhe kryeministrja Ana Brnabiç pretenduan se kjo ishte një përpjekje për të rrëzuar qeverinë dhe fajësuan në mënyrë implicite Perëndimin.
“Duke iu drejtuar kombit, Vuçiç, e përforcoi një retorikë të tillë dhe tha se shërbimet e inteligjencës serbe e dinin se opozita po planifikonte rebelim. Ai la të kuptohet se fuqitë e huaja fillimisht hodhën poshtë paralajmërimet e tij në biseda private për trazira dhe “festuan” destabilizimin e Serbisë. Vuçiç gjithashtu falënderoi ato shërbime të huaja që jo vetëm që e dëgjuan, por edhe siguruan inteligjencë shtesë, “duke ndihmuar institucionet serbe për të kapërcyer më të keqen e mundshme” – shkruan prestigjozja amerikane duke shtuar:
– Deklaratat e Ana Brnabiçit disa ditë para “shtypjes së rebelimit” ndihmuan për të sqaruar se çfarë donte të thoshte Vuçiçi. Ajo falënderoi shërbimet ruse të sigurisë për ofrimin e të dhënave të inteligjencës që tregojnë, sipas tyre, se opozita serbe po përgatitej të organizonte protesta në Beograd si ajo e “Meidan” në Kiev, për të marrë pushtetin me metoda revolucionare.
‘Washington Post’ shkruan se “Vuçiç sigurisht që është i kënaqur me veten. Rusia është hajmali e fuqishme në politikën serbe dhe ai e ka përdorur mirë atë për vite me radhë. Shumë serbë e shohin Moskën si një fuqi e madhe mbrojtëse, veçanërisht që kur NATO bombardoi Beogradin në vitin 1999. Duke nxitur pakënaqësi kundër Perëndimit me supozime dhe teori konspiracioni, dhe duke u rreshtuar krah me Moskën, Vuçiç shënon pikë me shumicën nacionaliste në vend, teksa dhe i portretizon kundërshtarët e tij demokratikë si marioneta të interesave të huaja. Megjithatë, privatisht, presidenti serb vazhdimisht i siguron zyrtarët perëndimorë se ai po lufton për ta drejtuar kombin e tij të pabindur në rrugën e Bashkimit Evropian, dhe se ai është partneri i tyre i vetëm i besueshëm”
Vlen të kujtohet se administrata Biden e bazoi politikën e saj të pajtimit në garancitë private të Vuçiçit. Edhe pse disa kriza të rrezikshme vitin e kaluar në Kosovë patën “dorën serbe”, SHBA-ja shmangu fajësimin e tepërt të presidentit serb dhe preferoi të bënte thirrje për qetësimin e situatës.
“Pas dyerve të mbyllura, sot Vuçiç ndoshta po i bind liderët perëndimorë se është ende në anën e tyre. Por duke marrë parasysh sa pak rezultate ka sjellë politika pajtuese, administrata e presidentit amerikan Joe Biden duhet të pyesë veten nëse është koha për të provuar diçka të re” – mbyll editorialin e saj prestigjozja amerikane.