Connect with us

Bota

Princi George feston 12-vjetorin me një fotografi të re nga Pallati Kensington

Në nder të ditëlindjes së 12-të të Princit George, Pallati Kensington ka publikuar një fotografi të re të tij, ku ai shfaqet me një buzëqeshje të ngrohtë.

Portreti, i realizuar më herët gjatë vitit nga fotografi Josh Shinner, është shpërndarë në rrjetet sociale, i shoqëruar me një urim të shkurtër dhe të ëmbël nga prindërit e tij, Princi dhe Princesha e Uellsit: “Gëzuar 12-vjetorin princ George!”

Si djali i madh i çiftit mbretëror dhe i dyti në linjën e trashëgimisë për fronin britanik, George vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike që në fëmijërinë e hershme.

Së fundmi janë shtuar spekulimet për të ardhmen e tij arsimore, sidomos lidhur me mundësinë që ai të ndjekë gjurmët e të atit duke u regjistruar në Eton College, një shkollë private prestigjioze ku pranimet zakonisht bëhen në moshën 13-vjeçare.

Princi William dhe Princesha Catherine kanë qenë gjithnjë të kujdesshëm për t’i ofruar fëmijëve të tyre, përfshirë George-in, një jetë sa më të zakonshme në shtëpinë familjare në Adelaide Cottage. Megjithatë, roli i tij në familjen mbretërore ka qenë i pranishëm që në moshë të vogël.

George është shfaqur rregullisht në ngjarje publike, përfshirë kampionatin e tenisit në Wimbledon dhe paradën tradicionale Trooping the Colour. Gjatë festimeve të 80-vjetorit të Ditës së Fitores në Evropë, ai pati mundësinë të takonte veteranë lufte në një festë çaji, duke dëgjuar personalisht rrëfimet e tyre.

Ndërkohë, pasioni i tij për futbollin mbetet i qartë, pasi shpesh është parë duke ndjekur ndeshjet e ekipit të Aston Villa përkrah babait të tij.

Advertisement