Connect with us

Shkrime

Procesi i zhvillimit politik ndërkombëtar të Kosovës-shtet, i ka tejkaluar pretendimet serbe

Nga Hisen Berisha

Deklarata e miratuar nga Serbia dhe Republika Srpska për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike të popullit serb dhe për një të ardhme të përbashkët, paraqet një mjerim filozofik politik në rajon.
Ky dokument, i cili u miratua në Beograd në një takim mes dy qeverive të përfshira në listën e zezë të SHBA-së, në kuadër të Kuvendit gjithë serb dhe që ka synimin të mbajë unik serbët, është pikërisht margjinalizimi i pakicave kombëtare serbe në shtetet fqinje.
Pikërisht kjo e bën Serbinë destruktive dhe destabilizuese në rajon.
Deklarata, që përfshin edhe Kosovën si pjesë të Serbisë, sipas qëndrimeve ultranacionaliste të kriminelëve serbë në pushtet atje, duhet të miratohet nga parlamentet respektive, tregon se këto janë politika shtetërore të “botës gjithserbe”. Ky zhvillim duhet të jet sinjal për komunitetet tjera jo serbe në trevat e tyre autoktone, siç janë shqiptarët në Kosovën Lindore, Rashkë, Prokuple, Sanxha e Pazar deri në Nishë. Me theks kjo duhet të bëhet thirrje për zgjim nacional për popullin gjerman e hungarez e komunitete tjera të Krahinës Autonome të Vojvodinës, për identitet nacional e shtetëror.

Ky veprim është një provokim i drejtpërdrejtë edhe ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe një sfidë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Përfshirja e Kosovës në këtë dokument është e papranueshme dhe shkel parimet e pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës si një shtet i pavarur.

Kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm dhe të fortë nga komuniteti ndërkombëtar, në nivel të BE, SHBA dhe NATO, të dënojnë këtë deklaratë dhe të bëjnë presion mbi Serbinë për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës, duke garantuar se integriteti territorial i Kosovës është i pa cënueshëm.

Deklarata e nënshkruar mes Dodikut dhe Vuçiçit është veprim folk-politik mesjetar serb për konsum të brendshëm. Këta liderë, duke mos mundur t’i zgjidhin problemet që kanë në vendet e tyre respektive, përdorin nacionalizmin dhe shovinizmin si doktrinë e mbetjes në skenën politike serbe. Por, duke e analizuar deklarimin e udhëheqësve prorus serb, në atë kuvend, në raport me Kosovën (“Në deklaratën që po bëjmë, kemi biseduar për Kosovën dhe për detyrimin për të respektuar Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si pjesë e rendit ndërkombëtar, por kemi folur qartë edhe për dialogun si mënyrë thelbësore për zgjidhjen e problemit mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër veç dialogut dhe këmbënguljes tek ai, respektimi i Marrëveshjes së Brukselit, përmbushja e detyrimeve, formimi i Asociacionit dhe gjithçka tjetër”, ka thënë Vuçiç), përgjigjja ndaj këtij zhvillimi është brenda gjuhës juridike dhe politike ndërkombëtare, që e mbështet Kosovën shtet i pavarur, sovran e demokratik.

Së pari, Rezoluta 1244 e ka futur Kosovën në një proces politik që ka rezultuar me pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, ky dokument ka hapur rrugën ndërtimit të institucioneve shtetërore pasi u konfirmua legjitimiteti ndërkombëtar i Statusit të Shtetësisë në GJND.
Amandamenti 14 në Kushtetutën e Kosovës është në frymën e reduktimit të kësaj rezolute vetëm në autorizimet e NATO/KFOR në Kosovë.

Me zhvillimin standard të kapaciteteve ushtarake të Kosovës, si dhe avancimin e statusit të përfaqësimit politik në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, Kosova duhet të integrohet ushtarakisht plotësisht në NATO, si dhe të fitojë statusin e protektoratit ushtarak e politik të NATO-s.
Kjo i hap rrugën përfundimit të misionit të UNMIK dhe KFOR në Kosovë.
Kurse Jugosllavia si nocion shtetror e subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare tashmë veç ka pushuar së ekzistuari.

Kështu që, vetëm për shkak se janë dy shtete anëtare mos njohëse të Kosovës, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kjo rezolutë nuk është hequr.
Megjithatë, nuk mund të mohohet se Rezoluta 1244 është baza e gjetjes së zgjidhjes politike për Kosovën, në bisedimet e Vienës dhe Pakon e Ahtisarit.
Prandaj, i them Vuçiçit, mos u thirr në një rezolutë e cila nuk të favorizon.

Së dyti, ne jemi për implementimin e marrëveshjeve, si asaj të vitit 2013, edhe asaj të vitit 2015, pas vlerësimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese.
Ajo që Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar si të papajtueshme nuk do ta implementojmë, siç janë Plani franko-gjerman apo marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit bashkë me Statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që ka pranuar kryeministri Kurti, sepse këto e dëmtojnë Kosovën.

Fatmirësisht, mospranimi i Vuçiçit për të implementuar marrëveshjet, na mundëson që si qeveri e ardhshme, të mos e marrim parasysh implementimin e marrëveshjeve të vitit 2023.

Pastaj, ne kemi një vendim të GJND-së që thotë se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe gjeneron nga procesi politik për statusin, të cilin e ofron Rezoluta 1244.

Po ashtu, pretendimi se me ketë rezolutë të KS/OKB, është njohur sovraniteti i RFJ pra Jugosllavisë së mbetur qëndron. Por, garanton po ashtu se, çështja e Kosovës hyn në proces politik! Dhe nga procesi politik kanë ardhur më pastaj, standardet para statusit, raporti i Kai Aide, dokumenti i Ahtisarit, shpallja e pavarësisë, vendimi i GJND-së me të cilin vuloset pavarësia, dhe brenda kësaj periudhe kemi shpërbërjen e plotë të asaj mbetje famëkeqe Jugosllavi, si krijesë artificiale shtetërore, që nuk ekziston më, me pavarësimin e Kosovës dhe Malit të Zi.

Kështu që, Rezoluta 1244 tashmë është konsumuar dhe heqja e saj ka mbetur për shkak të dy shteteve anëtare të KS/OKB-së, si Rusia dhe Kina, të cilat me të drejtën e vetos e pengojnë shfuqizimin e saj.
Por kjo rezolutë, pas vendimit të GJND-së, nuk mund të rikthehet në proces politik. Dhe Kosovën nuk mund ta ndal më në zhvillim të subjektivitetit të vet ndërkombëtar.

Advertisement