Sociale
Projektbuxheti 2021/ 55 miliardë lekë për Shëndetësinë, financimi më i lartë në 25 vitet e fundit
Buxheti 2021 për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale parashikohet të jetë 81.8 miliardë lekë me një rritje 7.5% ose 5.7 miliardë lekë, krahasuar me vitin 2020.
E pranishme në Komisionin e Ekonomisë gjatë diskutimit të projektbuxhetit për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, Sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Geraldina Prodani tha se “buxheti adresuar shëndetësisë parashikohet të jetë në 55 miliardë lekë ose 9.41% e buxhetit të shtetit që përfaqëson një rritje 0.4% krahasuar me një vit më parë, duke shënuar kështu financimin më të lartë për shëndetësinë në 25 vitet e fundit”.
Sipas saj, buxheti total për shëndetësinë ka pësuar një rritje me 8.25%, krahasuar me një vit më parë ose 55.36% më shumë krahasuar me vitin 2013. Ndërsa investimet për të dy sektorët (shëndetësi , mirëqenie sociale) në vitin 2021 kapin vlerën 3,6 miliardë lekë, nga të cilat 2.5 miliardë lekë janë financim i brendshëm dhe 1.1 miliardë lekë janë financim i huaj.
Fondi total i investimeve për vitin që vjen, theksoi ajo, është rritur me 461 milionë lekë krahasuar me vitin 2020. Ndërsa shpenzimet publike për shëndetësinë për banor do të rriten nga 12 295 lekë që ka qenë në vitin 2013, në 19 400 lekë për vitin 2021, me një rritje 37.8%.
Prodani tha se, buxheti për Mbrojtjen Sociale shënon 25.5 miliardë lekë me një rritje 6.2% krahasuar me vitin 2020.
“Buxheti për vitin 2021 financon në sektorin e shëndetësisë, mbulimin universal për kontrollin bazë mjekësor për grupmoshën 35 – 70 vjeç, programin kombëtar të depistimit të kancerit të qafës së mitrës, programin kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit,vaksinimi, vizitat tek mjeku i familjes, rimbursimin e barnave, vizitat dhe ekzaminimet tek mjeku specialist për të gjithë popullsinë rezidente në vend”- theksoi Prodani.
Gjithashtu vijoi ajo, buxheti i 2021 siguron mbulimin në masën 100% të pacientëve që kryejnë ndërhyrje kirugjikale falë 12 paketave shëndetësore, depistimin e dëgjimit neonatal, financimin e shërbimit të urgjencës mjekësore 36 autoambulanca të reja, vijimin e Programit Kombëtar për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore.
“Buxheti 2021 është financimi publik më i madh për shëndetësinë që adreson mbështetje për mbrojtjen e shëndetit publik, investimeve të rëndësishme në shëndetësi dhe mbështet mjekët dhe infemierët me rritjen e pagës si asnjëherë më parë”- tha Prodani.