Politike
Projekti i Sazanit, a do bëjë Jared Kushner hapa pas? Rama: Ne jemi të etur për të investuar
Jared Kushner po lundronte me jaht në Mesdhe me familjen e tij në verën e vitit 2021. Teksa ankoroheshin në brigjet shqiptare, ai i kërkoi një shoku të ndihmonte për të ndërmjetësuar një takim në varkën e tij me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Gjatë darkës, Rama u lidh me Kushnerin dhe diskutoi sesi bregdeti mahnitës i Adriatikut shpesh injorohet nga turistët e pasur edhe pse kryqëzohen midis Italisë dhe ishujve grekë.
“Kushneri nuk përmendi investimet. Ai thjesht po pyeste për Shqipërinë, prapraktikisht ata ishin të paditur për historinë shqiptare,”-tha Rama. Kushnerët u larguan të nesërmen nga Shqipëria. Kur u takuan sërish në Davos disa muaj më vonë, Rama thotë se Kushner i tha se e “dashuronte” Shqipërinë.
“Kushner kishte takuar Mohamed Alabbar, investitorin miliarder të Gjirit, i cili po zhvillon një marinë luksoze në portin shqiptar të Durrësit, dhe të dy kishin diskutuar për investime të mundshme. Unë thashë se do të ishte e pabesueshme,”- tha Rama.
Kushner e vizitoi përsëri në verën e vitit 2023, kësaj here edhe me Richard Grenell, i cili shërbeu në mandatin e tij të parë si përfaqësuesi i tij në Ballkan – dhe së fundmi u emërua si i dërguar special për mandatin e tij të dytë.
“Ata qëndruan rreth një javë, duke vizituar site të ndryshme. Këtë herë, Kushner ishte i drejtpërdrejtë: “Ne jemi të etur për të investuar”,”-tha Rama.
Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, vetëm tre javë përpara betimit të dytë të Trump, qeveria shqiptare dha miratimin paraprak që Kushner të zhvillonte një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në Sazan, ishulli i vetëm i Shqipërisë në Mesdhe. Është një nga investimet më të profilit të lartë deri më sot nga firma e tij private e kapitalit, Affinity Partners, të cilën Kushner e ngriti menjëherë pas përfundimit të mandatit të parë të Trump, kryesisht me fonde nga Arabia Saudite.
Marrëveshja me Shqipërinë është një dritare drejt perandorisë së biznesit që Kushner ka ndërtuar që kur la postin e tij si këshilltar i lartë në Shtëpinë e parë të Bardhë të Trump, ku ai ishte një figurë qendrore në një sërë çështjesh të politikës së jashtme, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
Para përfshirjes së tij në politikë, Kushner ishte një ndërtues, fokusi kryesor i të cilit ishte qyteti i Nju Jorkut. Megjithatë, që kur u largua nga Uashingtoni, ai ka krijuar një portofol global të aksioneve dhe pronave të kompanive, në të gjithë Evropën Lindore, Gjirin dhe Amerikën Latine. Shumë nga ato marrëveshje janë lehtësuar nga kontaktet që ai ka bërë gjatë kohës që kur ishte në qeveri – ose nga profili i lartë që vjen nga të qenit një nga ndihmësit më të besuar të vjehrrit të tij. Kushner ka demonstruar një aftësi për të kthyer marrëdhëniet dhe afërsinë me pushtetin në investime të mëdha.
Ai tani po e pozicionon veten si një kanal për investitorët e Gjirit të interesuar për të investuar para në sektorin dinamik privat të Izraelit.
Kushner thotë se modeli i tij i biznesit bazohet në aftësi për të parë tendencat e të tjerëve.
“Jam shumë rehat të jem kundër rrymës. Isha i gatshëm të mbështesja Trumpin edhe kur njerëzit në rrethin tim mendonin se nuk ishte aq popullor apo i zgjuar. Besoja se mund të bëja përparim në Lindjen e Mesme edhe kur të gjithë thoshin se isha i çmendur,”-thotë ai për FT.
Edhe para se Trump të rifitonte postin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Kushner u përball me pretendime për konflikte të mundshme interesi. Edhe pse Kushner nuk ka asnjë rol zyrtar në administratën e re, ka shumë pikëpyetje për të.
“Unë shqetësohem se Kushner, si dhe anëtarë të tjerë të familjes Trump, do të fitojë avantazhe financiare duke përdorur statusin dhe mendimin se mund të ndikojnë në politikën e administratës,”- thotë Michael Meltsner, profesor i së drejtës në Universitetin Northeastern.
Kushner këmbëngul se nuk ka konflikt interesi dhe se shumica e kritikave janë politika partiake.
“Këto nuk janë hetime legjitime. Është një sulm i motivuar politikisht që nuk ka asnjë substancë.”
Si pasardhësi i një perandorie të pasurive të paluajtshme në Nju Jork, Kushner fitoi para që kur ishte në Harvard në fillim të viteve 2000 duke blerë 9 milionë dollarë apartamente në një periferi të klasës punëtore të Bostonit, duke i shitur ato me dyfishin e çmimit. Në vitin 2005, ai mori përsipër mbikëqyrjen e biznesit të pronës familjare, kur babai i tij, Charles, u burgos për mashtrim në tatime dhe manipulim të dëshmitarëve. Charles u akuzua se kishte punësuar një prostitutë për të joshur kunatin e tij, i cili kishte bashkëpunuar me autoritetet. Ai u fal nga Trump në vitin 2020 dhe është emëruar të jetë ambasadori i ardhshëm i SHBA në Francë.
Pastaj Kushner u bë një nga këshilltarët me ndikim në Shtëpinë e Bardhë. Ai ishte në gjendje të ndërtonte lidhje të thella me “lojtarët” kryesorë në të gjithë Lindjen e Mesme, duke krijuar miqësi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, princin e kurorës saudit Mohammed bin Salman dhe sheikh Mohamed bin Zayed bin Sulltan Al Nahyan, president i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kushner ishte në ballë të negociatave të SHBA-së mbi ‘Marrëveshjet e Abrahamit’, të cilat çuan në normalizimin e lidhjeve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin. Në janar 2021, ai nisi Affinity për t’u fokusuar në sektorë të tillë si AI dhe energjia e pastër. Një mbështetës kryesor i hershëm ka qenë fondi i pasurisë sovrane të Arabisë Saudite, i cili investoi 2 miliardë dollarë – pothuajse të gjithë investimin fillestar të jashtëm të firmës. Vitin e kaluar, Kushner tërhoqi 1.5 miliardë dollarë më shumë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari dhe tani menaxhon 4.6 miliardë dollarë.
Presidenti i Serbisë Aleksandr Vuçiç, i cili kishte një marrëdhënie të mirë me administratën e parë të Trump, tha për FT vitin e kaluar se ishte shumë krenar për projektin.
“Do të sjellë më shumë investitorë – dhe kjo do të sjellë gjithnjë e më shumë njerëz në Beograd. Kjo është e mirë për miqësinë serbo-amerikane.”
Grenell, i cili ishte shumë i përfshirë në diplomacinë në Ballkanin Perëndimor në fund të mandatit të parë të Trump, e ka paraqitur marrëveshjen si pjesë e një përpjekjeje për të përmirësuar lidhjet e Serbisë me perëndimin dhe për ta larguar atë nga Rusia.
“Grenell nuk u dorëzua kurrë. Ai ka qenë gjithmonë këtu,”- thotë Zorana Mihajlović, një ish-zëvendëskryeministre për 8 vjet deri në vitin 2022. ”
Rama, kryeministri i Shqipërisë, është gjithashtu i kënaqur nga investimi në vendin e tij.
“Afërsia e Trump me marrëveshjen e resortit luksoz është një vlerë e madhe e shtuar, nuk mund ta fsheh. Pasi Jared njoftoi marrëveshjen, çmimet e pasurive të paluajtshme në Vlorë patën një rritje të dukshme.”
Duke u fokusuar te klientët super-luksoz, projekti i Kushnerit do të ndihmojë Shqipërinë të përfitojë nga turizmi pa shkaktuar aq dëme në rezervat e ruajtjes sa turizmi masiv. Ose kështu pretendon Rama.
“Ne kemi nevojë për super luks në këtë vend, ashtu si shkretëtira ka nevojë për ujë. Ajo që fitoni nga 500 jahte është e njëjta me atë që marrim nga 40,000 turistë që vijnë me buxhet”.
Pavarësisht kritikave, Kushner nuk është akuzuar kurrë për keqbërje. Kushner thotë se Affinity ka vepruar gjithmonë siç duhet.
“Shumë nga këta njerëz do të thonë se gjithçka është një konflikt. Nuk do ta lejoj që të më ndalojnë.”
Disa ekspertë të etikës besojnë se Trump dhe anëtarët e familjes së tij mund të ndihen të fuqizuar për të vepruar pa u ndëshkuar pjesërisht duke pasur parasysh sjelljen e Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, të cilët u përballën me kritika për marrëdhëniet e tij të biznesit, përfshirë Ukrainën