Rajon
Prokuroria në Mal të Zi heton mënyrën e jetesës së funksionarëve
Prokuroria Speciale e Shtetit të Malit të Zi aktualisht është duke punuar në katër raste, në të cilat hetohet mënyra e jetesës së disa funksionarëve, përkatësisht mospërputhja mes të ardhurave të tyre dhe jetës luksoze që bëjnë.
“Në të gjitha rastet janë krijuar lëndë penale, që janë në fazën e hetimit”, thonë nga prokuroria për Radion Evropa e Lirë dhe shtojnë se atyre u ka paraprirë një njoftim i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Nga fundi i vitit 2020, kjo agjenci ka krahasuar të dhënat e pasurisë së zyrtarëve me bazat e të dhënave në dispozicion dhe ka konstatuar disa mospërputhje mes të ardhurave dhe pasurisë që kanë raportuar.
Ky hap është bërë me vetiniciativë, pasi Ligji aktual për Parandalimin e Korrupsionit në Mal të Zi nuk e ka këtë normë juridike. Ajo është pjesë e një ligji të ri, i cili është ende në formë drafti.
“Monitorimi i mënyrës së jetesës përfshin krahasimin e të ardhurave dhe pasurive të deklaruara, në raport me konsumin, vendbanimin dhe pronën e zyrtarëve publikë, të bashkëshortëve dhe të fëmijëve”, thuhet në këtë draft.
Dhe, pikërisht mënyra e jetesës është në fokus të katër rasteve që janë nën vëzhgimin e Prokurorisë Speciale – dy prej të cilave kanë të bëjnë me ministra të ish-Qeverisë, një me një polic dhe një me një person përgjegjës nga sektori joqeveritar.
Familja e ish-zyrtarit publik M.N. është një prej atyre që janë nën vëzhgimin prokurorial.
“Më 10 maj, 2022, Agjencia [për Parandalimin e Korrupsionit] ka dorëzuar një njoftim në prokurori, ku thuhet se familjarë të caktuar të ish-zyrtarit publik M.N. janë pronarë të pronës së paluajtshme, e cila nuk korrespondon me të ardhurat e tyre reale”, bën të ditur Prokuroria Speciale.
Radios Evropa e Lirë në Podgoricë iu konfirmua jozyrtarisht se bëhet fjalë për Mevludin Nuhoxhiqin, ish-ministër i Punëve të Brendshme, tani deputet i Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila udhëhiqet nga Millo Gjukanoviç.
Në rastin e anëtarëve të familjes Nuhoxhiç, Prokuroria Speciale konstatoi “ekzistencën e bazave për dyshim” për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Informacionet, të dhënat dhe dëshmitë janë mbledhur nga Administrata e Kadastrës së Budvës, Zhablakut dhe Podgoricës. Nëpërmjet policisë janë marrë informacione edhe nga M.N. dhe vajzat e tij. Policia ka marrë urdhrin që të bëjë kontrolle përmes [agjencisë ndërkombëtare të policisë] INTERPOL dhe t’i mbledhë provat e nevojshme”, thonë nga Prokuroria Speciale.
Në raportimin e Nuhoxhiçit për pasurinë, i cili gjendet në ueb-faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, nuk ka të dhëna për pasurinë e vajzave të tij, sepse, sipas ligjit ekzistues, zyrtarët publikë nuk janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë e fëmijëve që nuk jetojnë me ta.
Agjencia, në disa raste në vitet e kaluara, ka thënë se Nuhoxhiq ka shkelur Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit, duke mos e deklaruar pasurinë e tij të plotë.
Nuhoxhiç thotë për REL-in se bëhet fjalë për prona të vajzës së tij, Bellma, e cila zotëron dy banesa, një në Podgoricë dhe një në Budvë. Vajza tjetër, Xhenana, sipas tij, ka 1.000 metra katrorë tokë në Zhablak.
Rasti i ish-ministrit Kenan Hrapoviq
Kenan Hrapoviq, ish-ministër i Shëndetësisë nga Partia Socialdemokrate, një partner koalicioni i Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit, gjithashtu ka shkelur ligjin duke mos deklaruar të gjithë pasurinë e tij.
Prokuroria Speciale, siç konfirmohet për REL-in, ka më shumë se dy vjet që po heton mënyrën e jetesës së anëtarëve të familjes së Hrapoviqit, përkatësisht të vajzës Sellma.
Hetimet kanë nisur pasi Qendra për Edukim Qytetar, në prill të vitit 2021, ka bërë një kërkesë tek Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, për të rishikuar mënyrën e jetesës së familjes Hrapoviq, pas disa raportimeve të mediave, që kanë sugjeruar se “anëtarët e kësaj familjeje kanë një mënyrë jetese që i tejkalon të ardhurat e tyre të raportuara”.
Kërkesa është bërë pasi Sellma ka publikuar disa fotografi në rrjetet sociale, që kanë treguar se ajo ka vizituar Majamin, Nju Jorkun, Dohën dhe Abu Dabin, brenda një kohe të shkurtër.
Sipas Qendrës për Edukim Qytetar, ka një mospërputhje midis shpenzimeve që duken mjaft të larta dhe deklarimit të pasurisë nga Hrapoviç.
Në atë kohë, sipas të dhënave të raportuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, të ardhurat e tij mujore si ministër kanë qenë rreth 2.080 euro.
Hrapoviç nuk ka dashur t’i komentojë veprimet e Prokurorisë Speciale për Radion Evropa e Lirë.
Në nëntor të vitit 2022, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka hetuar edhe mënyrën e jetesës së Llidija Gjukanoviqit, bashkëshortes së presidentit në largim të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për shkak të rrobave të shtrenjta, me të cilat shfaqet në publik, konfirmojnë nga kjo agjenci për REL-in.
“Gjatë verifikimit të pasurisë dhe të hyrave të zyrtarit publik, Millo Gjukanoviq, nuk janë konstatuar parregullsi që do të çonin në inicimin e ndonjë procedure në kompetencë të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit”, thuhet në deklaratë.
Sipas të dhënave të disponueshme në ueb-faqen e kësaj agjencie, Llidija Gjukanoviq, asokohe, ka pasur të ardhura mujore prej rreth 925 eurosh, ndërsa rroga e Gjukanoviçit ka qenë 2.202 euro.
Hetimet janë bërë pasi gruaja e Gjukanoviçit është shfaqur me një jelek “Dior” në një protestë të opozitës në nëntor të vitit 2022. Ky jelek, sipas të dhënave në ueb-faqen e firmës, ka kushtuar rreth 4.200 euro.
Ndër reagimet e shumta në Twitter ka qenë edhe ai i Jakov Millatoviçit, i cili është zgjedhur president i Malit të Zi në muajin prill. Sipas tij, jeleku kushtonte sa “dhjetë paga minimale”.
Edhe policët nën llupë
Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi bëri të ditur se do të kontrollohet edhe mënyra e jetesës së punonjësve të policisë, ndërsa me pasurinë e tyre do të merret Njësia Speciale e Policisë.
Kjo njësi do të kontrollojë të ardhurat e punonjësve të policisë, mënyrën e tyre të jetesës dhe mënyrën e jetesës së bashkëshortëve, fëmijëve, të afërmve apo miqve.
Se disa policë malazezë janë pasuruar jashtëzakonisht shumë, tregojnë edhe të dhënat e agjencisë evropiane të policisë, EUROPOL, që i janë dhënë Malit të Zi. Sipas tyre, “një numër policësh ka më shumë se 50 milionë euro në llogari”.
Çfarë sjellin ndryshimet në ligj?
E reja në projektligj është se zyrtarët publikë do të duhet ta deklarojnë pasurinë për të gjithë anëtarët e familjes, pavarësisht nëse jetojnë me ta ose jo. Mjetet brenda dhe jashtë vendit, si dhe të dhënat bankare do të jenë po ashtu nën kontroll, pa kërkuar pëlqim.
Hartuesi i ligjit vlerëson se ky ndryshim i jep Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit mundësi të reja ligjore për të monitoruar dhe vepruar, në rast të “mospërputhjeve të theksuara” ndërmjet mënyrës së jetesës së një zyrtari publik dhe familjes së tij dhe të të ardhurave të tyre zyrtare.
“Futja e kësaj kategorie dhe autorizimi i Agjencisë për të hetuar mënyrën e jetesës do t’i mundësojnë një punë më të mirë Agjencisë”, tha Llazar Gërdiniç nga Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS), i cili, me vite, ka hetuar rastet e korrupsionit në nivel të lartë në Mal të Zi./REL