Kosova
Prokuroria Speciale kërkon ‘dëshmitar’ Kurtin/ Zëdhënësi i Qeverisë: Ndërhyrje para zgjedhjeve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kërkuar që të dëshmojë në Gjykatën Speciale. Lajmin e ka bërë me dije për mediat zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka njoftuar se Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar një ftesë për kryeministrin, i cili kërkohet që të merret në pyetje në cilësinë e dëshmitarit. Por se për cilën çështje bëhet fjalë, nuk jepen detaje të tjera.
Në postimin e bërë në rrjetin e tij social, Kryeziu e ka lidhur ftesën me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, duke u shprehur se kjo është një tentativë për të ndërhyrë në zgjedhje.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale.Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor,”- ka shkruar Kryeziu.
POSTIMI I PLOTË:
Sipas ftesës, Kurti duhet të paraqitet në Prokurori Speciale më 16 dhjetor 2024. Në Prokurori Speciale më herët është paraqitur edhe zyrtarja e lartë e VV-së, Dejona Mihali. Por nuk dihet nëse do të dëshmojnë për të njëjtën çështje. Vetë Kurti ka zgjedhur që të mos bëjë komente lidhur me kërkesën e Prokurosisë, ndërsa në emër të tij ka folur vetëm zëdhënësi i tij.