Kronike
Pronari i “Cobra City” do hetohet nga Prokuroria Speciale

Rastin e Dibran Hoxhës, i dyshuar për vrasjen e 31- vjeçarit nga Kukësi, do ta hetojë Prokuroria Speciale. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti- Sejrani. “Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se rasti në fjalë tashmë ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Thotw prokuroria e priznerni. Në orët e para të 3 janarit, në lokalin “Kobra City”, ka ndodhur një incident gjatë të cilit ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë një i ri nga Kukësi ka mbetur i vdekur e një tjetër i plagosur. Dibran Hoxha dyshohet për veprat penale vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova. Të dyshuarit e tjerë, shokët e Hoxhës, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahu, po dyshohen për veprën penale pjesëmarrja në rrahje. Ndërsa, Roland Susuri është i dyshuari i shtatë i cili u arrestua dhe dërgua në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së 31-vjeçarit në lokalin “Kobra City” në Prizren. Susuri, që punonte kamerier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja. Ai po ashtu dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës. Në dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”. Kjo është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, i cili ka thënë se në momentin kur tre shtetasit e Shqipërisë po largoheshin me automjet, janë qëlluar nga Dibran Hoxha me armë zjarri.

