Kosova
‘Pronari i urës’ parashikon shtrëngatë: Nuk ka forcë të hapet nga Kosova
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se pret që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, “të mbajnë fjalën e dhënë” se pa marrëveshje dhe “vullnet të përbashkët”, nuk do të ketë hapje të urës mbi lumin Ibër.
“Jemi në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe KFOR-it, me të cilët kemi bashkëpunim të drejtë. Presim që ta mbajnë fjalën, se pa marrëveshje dhe vullnet të përbashkët nuk do të ketë hapje të urës” – ka thënë Vuçiç në një prononcim për gazetarët.
Ai gjithashtu ka pretenduar se në Kosovë, tanimë që është caktuar data e zgjedhjeve, më 9 shkurt 2025-“gjithçka do të jetë fushatë” dhe se “Pret provokime dhe probleme shtesë”.
Vucic shtoi se beson dhe shpreson që “KFOR-i do ta përmbushë premtimin e tij, si dhe detyrën e tij parësore në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, është duke insistuar në hapjen e plotë të urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, pasi që aktualisht shfrytëzohet vetëm për këmbësorë.
Nga ana tjetër, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimin Evropian (BE), kanë kundërshtuar hapjen e urës në këto momente, derisa kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.