Connect with us

Kosova

Propozimi i kongresistes Tenney, dëshmi se perceptimi për Kosovën në SHBA po ndryshon

Propozimi i kongresistes amerikane nga radhët e Republikanëve, Claudia Tenney, për hyrjen në fuqi të një akti ligjor që e ndërlidh ndihmën amerikane për Kosovën me plotësimin e pikave të Marrëveshjes së vitit 2013, pjesë kryesore e së cilës ishte Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, është një alarm për shtetin e Kosovës, vlerëson ligjëruesi i Shkencave Politike, Dritëro Arifi.

Ndonëse propozimi i përfaqësueses së New Yorkut në Dhomën e Përfaqësuesve është shumë i anshëm në sensin e asaj që Serbia nuk obligohet për asgjë, në këtë rast për Arifin një gjë e tillë dëshmon se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës perceptimi për Kosovën, të paktën te disa kongresistë, po ndryshon.

“Kjo automatikisht na jep një fotografi që lobimi serb është fuqizuar jashtëzakonisht shumë në SHBA dhe e kundërta po ndodh me lobimin kosovar që ka një tkurrje skajshmërisht të madhe”, thotë Arifi

Në praktikë, beson Arifi, ky akt ligjor vështirë që mund të kalojë meqë kongresistët janë të mirinformuar për situatën reale në terren, por mesazhi që po dëshirohet të përçohet ndaj Kosovës përveç se është i qartë është edhe shqetësues.

“Mesazhi është i qartë për Kosovën se çfarë duhet të bëjë që të mos ketë si këto propozimesh në të ardhmen, sepse ato dikur mund të shumëfishohen, pra ky është një alarm për shtetin e Kosovës dhe politikën e jashtme të Kosovës”, potencon analisti

Sipas Arifit, Kosova në këtë fazë ka arsye për t’u ndjerë e shqetësuar pasi që kongresistja Tenney me iniciativën e saj po ndërton narracionin që Serbia është një lojtare e rëndësishme për SHBA-të.

Tenney, një përkrahëse e hapur e Donald Trump-it, lëshoi një njoftim për media ku thuhej se qëndrimi për të mos e ndihmuar Kosovën derisa të zbatojë pikat e marrëveshjes është “imperativ për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të marrin qëndrim për demokracinë, paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Ajo propozoi të miratohet një Akt i Mbështetjes së zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013 dhe kjo ta ndërlidhë ndihmën amerikane për Kosovën me zbatimin e kësaj marrëveshje.

Akti i propozuar nga Tenney do të ndalonte për Shtetet e Bashkuara të Amerikës çfarëdo ndihme derisa disa kushte të caktuara të dala nga Marrëveshja e Brukselit 2013 të plotësoheshin.

“Dështimi i Kosovës për të përmbushur zotimet nga kjo marrëveshje shkel normat ndërkombëtare dhe krijon tension e jo stabilitet në Ballkanin Perëndimor”.

Amerikania përmendi veçanërisht Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin tha se “Kosova ka dështuar ta zbatojë këtë përkushtim kryesor të saj”.

Përkundër kësaj, Tenney kishte kritika vetëm për Kosovën dhe jo për sjelljen dekstruktive të Serbisë.

Ajo, kur ka folur për destabilitetin në Veri të Kosovës, nuk ka përmendur fare as aktin e kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe dhe as sulmin para-ushtarak terrorist nga Serbisë në Kosovë, të udhëhequr nga Milan Radojiçiç, i kategorizuar në listë të zezë edhe nga vetë SHBA-të.

Advertisement