Aktualitet
Prostitucion dhe drogë/ Burg për 39-vjeçarin, në “arrest shtëpie” 3 punonjëset e seksit

Katër persona janë arrestuar në Vlorë si pasojë e ushtrimit të prostitucionit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Në pranga është vendosur një 39-vjeçar dhe tre punonjëset e seksit, banuese në Vlorë. 39-vjeçari, i cili u siguronte këtyre 3 shtetaseve dhe klientëve të tyre, lëndë narkotike, kryesisht kokainë është lënë në burg.
Për shtetaset J. B., 40 vjeçe, O. A., 27 vjeçe dhe E. H., 28 vjeçe, të treja banuese në Vlorë, u është caktuar masa e arrestit të shtëpisë. Raportohet se 40-vjeçarja dhe 27-vjeçarja përveçse ushtronin prostitucion, shfrytëzonin edhe 28-vjeçaren E. H., për këtë veprimtari të paligjshme.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Trails”.
Si rezultat i një hetimi me metoda speciale, u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, i shfrytëzimit për prostitucion dhe ushtrimit të prostitucionit.
Ekzekutohen 4 masa sigurie: masa “Arrest në burg” për autorin e shitjes së lëndëve narkotike dhe masa “Arrest në shtëpi”, për 3 shtetaset e përfshira në veprimtarinë e paligjshme të prostitucionit.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, të kryer me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim me Prokurorinë së Vlorës, ekzekutoi 4 masa sigurie, konkretisht:
-masën e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasin A. T., 39 vjeç, i arrestuar më herët në kuadër të operacionit “Tabacchino”, pasi dyshohej si bashkëpunëtor në shitjen e lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në dy subjekte tregtare në Vlorë;
-masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, për shtetaset:
J. B., 40 vjeçe, banuese në Vlorë;
O. A., 27 vjeçe, banuese në Vlorë;
E. H., 28 vjeçe, banuese në Vlorë.
Nga hetimet e kryera dhe bazuar në provat e siguruara (përfshirë pamje filmike), dyshohet se shtetasi A. T. u siguronte këtyre 3 shtetaseve dhe klientëve të tyre, lëndë narkotike, kryesisht kokainë. Ndërkohë, shtetaset J. B. dhe O. A., përveçse ushtronin prostitucion, shfrytëzonin edhe shtetasen E. H., për këtë veprimtari të paligjshme.
Strukturat hetimore vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë shfrytëzuar për prostitucion, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

