Politike
“Protesta dhe Bashkim!”, Edi Paloka lë gjithçka hapur për protestën e 20 shkurtit
Protesta e 20 shkurtit është akti i parë joformal i bashkimit në PD. Për herë të parë që kur u ndanë në kampe të ndryshme pas vendimit të Bashës për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, deputetët e përfaqësuar nga Gazment Bardhi kanë rënë dakord të punojnë së bashku për organizimin e protestës me deputetët që mbështesin zotin Berisha. Këtë e konfirmol në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka.
Të hënën është thirrur një mbledhje e Këshillit Kombëtar për protestën dhe ky është rasti që për herë të parë grupi parlamentar, i përfaqësuar nga zoti Bardhi, të marrë pjesë në mbledhje në selinë e PD. “Besoj se ditën e mbledhjes do të ketë diçka edhe lidhur me bashkimin e PD. Në qendër do të jetë 20 shkurti, por ftoj edhe deputetët e tjerë që do të jenë pjesë e përgatitjes së 20 shkurtit, dhe këtu kemi rënë dakord, që të marrin pjesë.”– tha zoti Paloka për RTSH.
Por çfarë do të ndodhë në 20 shkurt, përveç demonstrimit të revoltës me prani qytetare? Edi Paloka u rezervua të japë një përgjigje të qartë, siç ndodh gjithmonë në të tilla raste. Por ai citoi kryetarin Berisha për të krijuar një ide se 20 shkurti, ndoshta nuk do të jetë xhiroja e radhës në bulvard. “E ka thënë Berisha, “popullin një herë e drejton, një herë të drejton”. Në 32 vite, kam marrë pjesë në shumë protesta dhe kam përfunduar në burg, kur i drejtoja protestat. Dhe nga eksperienca mund t’ju them që është e vërtetë kjo që thotë Berisha. Çdo gjë mund të ndodhë.”- tha Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.
Më poshtë një pjesë nga intervista.
Elona Meço: Cili është qëllimi i protestës së 20 shkurtit? Çfarë duhet të presim?
Edi Paloka: Gjithë pakënaqësia, revolta që qytetarët e shprehin përditë në shtëpi, me familjen, me miqtë, në rrjetet sociale dhe kudo tjetër dhe nuk shpërthen siç duhet të shpërthente, shpresoj që të paktën në 20 Shkurt, me praninë e tyre ta shprehin revoltën, duke qenë të paktën të pranishëm në protestë.
Elona Meço: Pastaj çfarë ndodh? Ikin në shtëpi?
Edi Paloka: E ka thënë Berisha, “popullin një herë e drejton, një herë të drejton”.
Elona Meço: Ky është rasti që ju drejton populli ju?
Edi Paloka: Ajo nuk dihet.
Elona Meço: Nga eksperienca ime në PD, asgjë nuk ishte e papritur në protesta, gjithçka dihej.
Edi Paloka: Në 32 vite, kam marrë pjesë në shumë protesta dhe kam përfunduar në burg, kur i drejtoja protestat. Dhe nga eksperienca mund t’ju them që është e vërtetë kjo që thotë Berisha. Çdo gjë mund të ndodhë.
Elona Meço: Por kur e do kreu i partisë, lidershipi i partisë.
Edi Paloka: Kreu i partisë mjafton të mos pengojë. Aq më tepër që në këtë protestë nuk do të ketë një kokë që do të drejtojë apo dikush që t’u thotë “bëni këtë apo atë.” Do të jemi të gjithë njësoj aty.
Elona Meço: Do të qëndroni përpara kryeministrisë?
Edi Paloka: Strategjinë do ta merrni vesh në momentin e duhur. Synimi i parë është të tregohet pakënaqësia dhe revolta e qytetarëve me praninë e tyre. Çfarë do të sjellë 20 shkurti, le t’ia lëmë 20 shkurtit.
Elona Meço: Është gjithçka e hapur?
Edi Paloka: Sigurisht!
Elona Meço: Këshilli kombëtar që do të mblidhet të hënën do të jetë vetëm për protestën apo ka lidhje dhe me bashkimin e PD?
Edi Paloka: Sigurisht, janë të gjithë elementë. Besoj se ditën e mbledhjes do të ketë diçka edhe lidhur me bashkimin e PD. Në qendër do të jetë 20 shkurti, por ftoj edhe deputetët e tjerë që do të jenë pjesë e përgatitjes së 20 shkurtit, dhe këtu kemi rënë dakord, që të marrin pjesë.
Elona Meço: Pra 20 Shkurtin do ta organizoni bashkë me deputetët e grupit që përfaqësohet nga zoti Bardhi?
Edi Paloka: Po, në 20 shkurt jemi bashkë. Edhe aktivitetet do t’i kryejmë së bashku, do të dalim bashkarisht për të ngritur njerëzit në protestë.
Elona Meço: Këshilli Kombëtar ka marrë tagrin për të ndryshuar statusin. Është ky rasti të hënën?
Edi Paloka: Jo, por tagrin për këtë punë e kemi marrë, për të bërë ndryshimet në një rast të tillë.