Politike
Protesta e PD-së/ Policia publikon planin e masave, ja rrugët që do të bllokohen

Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave që ka marrë për ruajtjen e rendit publik gjatë protestës së sotme të Partisë Demokratike kundër mbylljes së TikTok-ut, duke e konsideruar si një akt censure.
Leja e kërkuar në Polici është prej orës 19:00 deri në orën 21:00, teksa protesta do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Autoritetet policore bëjnë me dije se ditën e sotme do të kufizohet lëvizja e automjeteve në disa akse/segmente rrugore, më konkretisht:
- Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
- Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia thotë se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, janë marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Shtetit apelon drejtuesit e automjteve që të shmangin lëvizjen në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

