Aktualitet
Protesta e PD te Bashkia e Tiranës, policia njofton masat dhe rrugët që bllokohen sot! Koha dhe itinerari që duhet të ndjekin shoferët
Opozita do mbajë ditën e sotme (15 Gusht), protestën e radhës (e 22-ta) para Bashkisë së Tiranës, një ‘rit politik’ që e ka nisur prej javës së fundit të muajit Mars të këtij viti, pas skandalit me dosjen “5D”.
Referuar këtij njoftimi nga Partia Demokratike, edhe Policia e Tiranës dhe ajo e Shtetit kanë informuar sot për marrjen e masave të duhura të rendit dhe sigurisë, por jo vetëm.
Edhe devijimi i trafikut rrugor dhe qarkullimit në akse të tjera më të menaxhueshme lehtësisht nga shoferët, duke shmangur kalimin nga rruga e qendrës së kryeqytetit.
Për shkak të zhvillimit të një tubimi, ditën e sotme, në orën 11:00, përpara Bashkisë Tiranë, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve”, njoftoi policia.
Dhe më tej detajon segmentin që do të bllokohet dhe afatin kohor të masave:
“Njoftojmë qytetarët se sot, prej orës 09:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”.
Protestat e kaluara PD dhe aleatët e saj kanë organizuar mbështetësit duke sulmuar me molotov, flakadanë, fruta-perime vezë dhe sende të tjera, godinën e Bashkisë.
Deri tani bilanci ka qenë me disa të dëmtuar, mes tyre edhe efektivë policie, gjatë konfrontimeve apo molotovit të përdorur, dhjetëra të arrestuar dhe liruar më pas nga Gjykata me masa të zbutura sigurie dhe shumë të tjerë nën hetim, mes tyre përfaqësues dhe organizatorë të opozitës.