Politike
“Protesta jonë po e nxjerr Ramën nga vetja!”/ Lapaj i përgjigjet ftesave të Berishës: Të dalim me flamurin kombëtar!
Adriatik Lapaj, gjatë një lidhje direkte për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka deklaruar se të gjithë njerëzit në opozitë me Ramën, duhet të bashkohen dhe të protestojnë, indirekt duke i kthyer përgjigje ftesave të vazhdueshme të Sali Berishës.
Lapaj tha se protesta para Kryeministrisë, po e nxjerr Edi Ramën nga vetja dhe kjo shpjegon pse policë të shumtë në numër u sulen protestuesve.
Biseda:
Ylli Rakipi: Çfarë ndodhi që përfundove në spital?
Adriatik Lapaj: Ata erdhën si barbarë, tërhoqën plasmasin që ishte e lidhur me ngrohësen, ranë një nga një dhe na vunë para.
Po ju jeni dëshmitarë të dhunës barbare të djeshme pas protestës së dytë, që nga sa duket numrat po shtohen, edhe pse nuk e kam me merak atë pjesë, secili e di vetë atë punë. E patë përplasjen masive dje? 300 policë për dy tenda përballë 30 vetave. Kur mbaroi ajo, në mes të natës, si skuthë sollën 60 policë për të prodhur tendën. Nëse ju duket se Rama është rehat dhe vjen për sport me 300 policë, mund ta mendoni, por them se e ka shqetësuar dhe po del nga vetja.
Enton Abilekaj: A është ky moment oportun për të bashkuar forcat me opozitën? Për shkak të nje konteksti të favorshëm opozita mund të arrijë dicka.
Adriatik Lapaj: Është detyrë e të gjithë qytetarëve në opozitë, çdo qytetar duhet të jetë përballë këtij njeriu që kërkon të vrasë çdo qelizë lirie në këtë vend. Nuk është I qetë, ka dalë nga vetja. Protesta i thotë se drejton qeverinë më të korruptuar në Evropë, i është kthyer në makth. Lukuni policie, erdhën dhe në mënyrë qesharake po ziheshin për dy tenda. Pasi na e prishën, unë sot ndodhem në shi, jam te Kryeministria me një çadër dhe në një karrige, përballë zyrës së këtij. Për turpin e Edi Ramës, se nuk besoj se ka njeri dyshime që kam ku fle, por jam këtu si dëshmi e rezistencës përballë një njeriu që erdhi si shpresë dhe është kthyer në simbol të korrupsionit dhe makutërisë. Ai vendosi çadër që zinte mijëra metra katrorë, ai që bllokonte rrugët dhe digjte goma, sot ka lemeri nga vendosja e dy çadrave të vogla. Ai njeri nuk ka qenë kurrë i sinqertë.
Mendoj se të gjitha forcat opozitare duhet të jenë në shesh, përtej flamujve partiakë, përballë regjimit të Ramës, një diktaturë.
Enton Abilekaj: Mendoni se mjaftojnë protestat që të arrini tre pikat që keni kërkuar? Mendoni se Rama tërhiqet vetëm nga protestat?
Adriatik Lapaj: Për ju zoti Abilekaj kam respekt, jo për të gjithë analistët sepse shumë paguhen, por di të them se nëse ti, ata si ty, ajo pjesë e shëndetshme e shoqërisë, arsimtarët, doktorët, e me rradhë, marrin përgjegjësinë që u takojnë dhe dalin përballë hajdutërisë, ky 15 ditëshin në zyrë nuk e bëjnë dot. Ky do të kthehej në standard të madh.
Andi Tela: Ai thotë të ketë qeveri tranzitore dhe zgjedhje. Këtë e tha edhe Berisha. A duhet bashkimi i forcave opozitarë për këtë? Si ishuj të veçuar nuk ka rezultat. Berisha thotë të premten do të mbledh partitë e opozitës, po Lapaj a i përgjigjet ftesës?
Adriatik Lapaj: Kam një ftesë, që kam katër javë që e bëj, çdo njeri në opozitë me regjimin e Ramës, duhet të jetë në këtë shesh nën flamurin kombëtar, nuk ka nevojë për shumë negociata kjo punë. Flamuri kombëtar na bashkon. Ai socialisti i zhgënjyer me Ramën vjen, sepse thotë jam nën flamurin kombëtar për një kauzë të drejtë. E kam thënë, flamujt te selitë, partinë te selitë, sot nuk është koha për partinë, sot është koha për Shqipërinë. Na duhet masivisht kundër Ramës, që trembet nga dy çadra të vogla. Imagjinoni të bëhen njerëz dhe të ngrihen qindra çadra.