Connect with us

Rajon

Protesta në Beograd/ Studentët bllokojnë RTS-në për të tetën ditë radhazi

Studentët e Universitetit të Beogradit e kanë bllokuar ndërtesën e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS), transmetuesit publik, për ditën e tetë radhazi duke pretenduar se ky medium nuk raporton në mënyrë objektive për protestat e tyre. Studentët kërkojnë që të shpallet konkurs i ri për anëtarët e Këshillit të Organit Rregullativ për Mediat Elektronike (REM).

Ndërkohë, RTS-ja ka njoftuar se, për shkak të rrethanave të vështira të punës, është e detyruar ta përshtatë skemën programore, dhe se ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Publike Themelore në Beograd kundër personave të panjohur organizatorëve të bllokadës, dhe se ka kërkuar reagim nga institucionet ndërkombëtare.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka njoftuar opinionin se, në rast se ndodh ndonjë vepër penale, kryesit do të identifikohen dhe ndiqen penalisht në përputhje me ligjin. Studentët kanë qëndruar para RTS-së pandërprerë edhe gjatë katër ditëve të festës së Pashkëve. Atyre u janë bashkuar atje edhe studentë nga qytete të tjera të Serbisë. Veçanërisht vëmendjen e kanë tërhequr studentët nga Novi Pazari, qytet në Serbi me shumicë boshnjake.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, studentët e universiteteve shtetërore në Serbi i kanë bllokuar dhjetëra fakultete dhe kanë organizuar protesta të vazhdueshme, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndjekje penale në lidhje shembjen e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, si pasojë e të cilës humbën jetën 16 njerëz.

Gjatë bllokadës, RTS-ja po e përshtat programin e tij, duke transmetuar filma artistikë apo dokumentarë në vend të programeve të mëngjesit ose emisioneve të tjera. Emisionet kryesore informative po realizohen si një seri kronikash të regjistruara, pa prezantues në studio, duke përfshirë edhe pamje të përzgjedhura nga televizione të tjera.

Redaksia e RTS-së ka bërë thirrje disa herë për t’i dhënë fund bllokadës, duke deklaruar se bllokimi i objekteve dhe pengimi i punonjësve të shërbimit publik në punën e tyre përbën presion të papranueshëm ndaj një mediumi në të cilin qytetarët kanë besuar për vite me radhë.  Gjithashtu, transmetuesi publik ka njoftuar se në rrjetet sociale dhe në sipërfaqe publike po shpërndahen dhe ekspozohen fotografi të redaktorëve dhe gazetarëve të tyre, të cilët paraqiten si armiq të popullit.

Një pjesë e punonjësve të Radiotelevizionit të Serbisë tha më 22 prill se e kupton pakënaqësinë ndaj disa vendimeve redaktuese në programin informativ të televizionit, dhe se nuk dëshiron të identifikohet me to, por se gjithashtu dëshiron që bllokimi i Shërbimit Publik të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të fillojë puna dhe të ndryshohet RTS-ja.

Studentët që po mbajnë bllokadën kanë deklaruar se transmetuesi publik serb “punon kundër të gjithëve neve”, dhe se Rregullatori i Shërbimeve Mediale nuk ekziston.

Studentët e Universitetit të Beogradit po ashtu i kanë dërguar një letër Komisionit për Kulturë dhe Informim të Kuvendit të Serbisë, në të cilën kanë njoftuar se bllokada dhe protesta para RTS-së do të vazhdojnë derisa Komisioni të shpallë thirrjen publike për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të REM-it.

Që nga nëntori i vitit 2024, Këshilli i Organit Rregullativ për Mediat Elektronike (REM) nuk është funksional, pasi anëtarëve u ka përfunduar mandati, duke pamundësuar kështu marrjen e shumë vendimeve të këtij institucioni.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dënuar bllokadën studentore në Radiotelevizionin e Serbisë dhe ka bërë thirrje që institucionet përkatëse të ndërmarrin masa të ndryshme në ditët në vijim për të rivendosur rendin dhe qetësinë publike. Ai i ka akuzuar studentët dhe qytetarët që i mbështesin ata në bllokimin e RTS-së se po përpiqen me dhunë ta rrëzojnë shtetin dhe themelet e tij.

Pushteti në Serbi, përndryshe, protestat për rrëzimin e strehës i përshkruan si një revolucion me ngjyra që ka për qëllim rrëzimin e dhunshëm të shtetit. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar të dielën se bllokimi i RTS-së përbën vepër penale, dhe ka shprehur shpresën që të gjitha institucionet kompetente do ta bëjnë punën e tyre.

Bërnabiq ka përsëritur se kërkesat e studentëve janë vetëm një pretekst për ardhjen në pushtet të opozitës. Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka njoftuar se është i vetëdijshëm për bllokimin e RTS-së dhe se po e ndjek nga afër situatën e brendshme politike në Serbi. BE-ja ka bërë thirrje për sundim të ligjit dhe institucione të forta, përgjegjëse dhe demokratike.

Kjo nuk është hera e parë që bllokohen shërbimet publike mediale në Serbi. Studentët e Beogradit dhe Novi Sadit u mblodhën papritur më 10 mars para objekteve të mediave publike dhe ua bllokuan të gjitha hyrjet, duke kërkuar raportim objektiv për protestat. Ajo bllokadë zgjati rreth 20 orë./REL

Advertisement