Aktualitet
Protesta në Bërxullë/ Banorët: Fshati të bojkotojë zgjedhjet
Banorët e Bërxullës kanë dalë sot sërish në protestë për të kërkuar të drejtën e tyre, dëmshpërblimin për pronat e tyre sipas vlerës së tregut, teksa kanë paralajmëruar se nuk do marrin pjesë në votimet e 14 majit.
Një prej tyre ka deklaruar se sot e kësaj dite nuk ka një projekt të qartë për rrugën që do ndërtohet, ndërsa shtoi se sipas tij fshati duhet të bojkotojë zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ai shtoi se ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e opozitës në zonë, si edhe kryebashkiakun, por deklaroi se projekti është bërë “pa pyetur” bashkinë dhe është marrë në dorë nga Ministria e Infrastrukturës që kryesohet nga ministrja Belinda Balluku.
“Jemi ankuar në të gjitha institucionet, nga kryeministria në institucionet më pas dhe në ambasada. Vetëm në Hipotekë kemi diskutuar me drejtorin. Ne kemi kërkuar shpronësimin e pronës me vlerë tregu apo me marrëveshje. Avokati i Popullit është një nga institucionet që nuk e ka vendosur ujin në zjarr. I vetmi institucion që nuk ka dhënë përgjigje.
Projekt rruge nuk ka as sot e kësaj dite. Që ditët e para kemi kontaktuar me avokatë dhe para dy ditësh, nga një vendim i gjykatës së Apelit toka duhet të shpronësohet me vlerën e tregut.
Fshati duhet të bojkotojë zgjedhjet. Shteti ka 8 muaj që hesht dhe nuk na jep zgjidhje, atëherë dhe ne nuk duhet të marrim pjesë në votime sepse shteti nuk na njeh. Unë e kam takuar kandidatin e opozitës si dhe kryebashkiakun aktual të zonës, por këtu nuk është pyetur bashkia por ka hyrë ministria e infrastrukturës vetë. Kontrata e parë ka qenë me privat dhe e dyta me koncesionarin. Balluku ka thënë se shteti nuk investon asnjë qindarkë për këtë rrugë, por e merr pas 35 vitesh, atëherë pse shteti merr pjesë në shpronësime”, u shpreh një prej banorëve.