Aktualitet
Protesta në mbështetje të Palestinës, qytetarët: Izraeli ka pushtuar Gazën
Qytetarë të shumtë kanë dalë ditën e sotme në protestë në mbështetje të Palestinës. Qytetarët të mbledhur në sheshin Skëndërbej, kanë kërkuar që të ndalet lufta në Gaza, pasi janë duke vdekur mijëra njerëz. Po ashtu ata kanë theksuar se ajo që po ju bëhet palestinezëve është shumë e padrejtë.
“Unë përcjell një mesazh që të ndalet lufta sepse gjithçka që po ju bëhet palestinezëve është shumë e padrejtë. Gjithçka që ndodh nëpër botë dëgjohet, ama për Palestinën, asnjëherë nuk është dëgjuar zëri i tyre. Mijëra njerëz janë duke vdekur atje, fëmijë, bebe, pleq, të cilat nëpër luftë këto gjëra nuk duhet të ndodhin, as gratë nuk preken, as fëmijët, as pleqtë. Ata kanë bombarduar dhe spitalin dhe më e bukura është se po i vënë fajin Hamasit dhe kjo është shumë e padrejtë. Këtë kanë bërë gjithmonë,” tha një protestues.
Një tjetër protestues, ka theksuar se grupi Hamasit po lufton për të çliruar tokat që ka pushtuar Izraeli.
“Grupi Hamas po lufton për të çliruar tokat që ja ka pushtuar Izraeli. Izraeli ka ardhur nga Ukraina, nga Rusia, nuk janë vendali aty, vendali janë palestinezët. Hamasi është në tokën e vet. Izraeli është pushtues,” tha një tjetër.