Rajon
Protestat në Serbi/ Vuçiç me mesazhe si të Millosheviç-it 23 vjet më parë
Një ditë pas protestës së pestë me radhë dhe ndër protestat më masive deri më tani në Beograd, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nëpërmjet një postimi në profilin e tij në “Instagram” shpjegoi pikëpamjen e tij për situatën socio-politike që aktualisht ekziston në Serbi.
Ajo që u “vrau veshët” të gjithëve në krejt mesazhin e Vuçiç-it mëngjesin e së dieles është se përveç faktit që ai nuk komentoi kërkesat e dhjetëra mijëra njerëzve për dorhëheqje, presidenti serb i dërgoi publikut pothuajse të njëjtin mesazh sikurse Sllobodan Millosheviçi më shumë se njëzet vjet më parë.
“Dikush nga jashtë nuk po e shkatërron Serbinë për shkak të Vuçiçit, por po e shkatërron Vuçiçin për shkak të Serbisë”, ka thënë presidenti i Serbisë në një video-mesazh të publikuar në llogarinë e tij të dielen.
Pothuajse të njëjtat fjalë i kishte thënë edhe ish-presidenti fashist i Serbisë, Sllobodan Millosheviç para dorëheqjes nga presidenca jugosllave mes demonstratave të vitit 2000, i cili pastaj edhe u arrestua nga autoritetet federale nën dyshimin për korrupsion, shpërdorim të pushtetit dhe përvetësim.
“Ata nuk po sulmojnë Serbinë për shkak të Millosheviçit, por Millosheviçin për shkak të Serbisë”, pati deklaruar Millosheviç 23 vjet më parë, vetëm disa ditë para rënies së qeverisë së tij, i cili pastaj do të dilte para Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte.
Mijëra njerëz u mblodhën në Beograd nën sloganin “Serbia kundër dhunës”. Protestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe kufizimin e përmbajtjeve të dhunshme në media, pasi dy raste të vrasjeve masive e tronditën vendin.
KRIME LUFTE